Brukseli ka vënë kushte edhe për pakon e mbështetjes së reformave në Kosovë me 945 milionë euro

  • 04 June 2024 - 12:39
Brukseli ka vënë kushte edhe për pakon e mbështetjes së reformave në Kosovë me  945 milionë euro

Javën e kaluar, Qeveria ka dërguar në Bruksel një draft narrativë me reformat që synon t’i kryej, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga Plani i Rritjes i BE’së. Hisja e Kosovës nga kjo pako është 945 milionë euro, nga gjithsej 6 miliardë të parapara Ballkanin Perëndimor. Por, për të përfituar këto mjete, ka kushtëzime, transmeton "Kosova Sot Online".

 Përveç reformave, për Kosovën e Serbinë, është edhe një kusht shtesë: progresi në dialog dhe zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese.

Kosova ka filluar punën për të përmbushur “detyrat” e caktuara për të përfituar nga plani 6 miliardësh i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar javën e kaluar se tashmë i kanë dërguar Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Kosova është vendi i parë në rajon që ka përmbushur këtë hap, derisa njoftoi edhe se çka përfshin drafti e sektorët që do të preken nga reformat.

“Pas një pune voluminoze dhe intensive, Republika e Kosovës ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes. Së shpejti ajo do të miratohet edhe në nivel të Qeverisë” shkroi Bislimi në Facebook.

“Sektorët kyç të prekur e fokusuar janë ato të qeverisjes së mirë dhe administratës publike, tranzicioni drejt energjisë së ripërtëritshme dhe digjitalizimit, zhvillimi i sektorit privat dhe ambientit të të bërit biznes, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, dhe sundimi i ligjit, e ku parashihet realizimi i rreth 30 reformave dhe mbi 100 aktiviteteve, të shtrira përgjatë një periudhe kohore 3 deri në 4 vjeçare”, shtoi ai.

Hapi i radhës, Bislimi tha se është përfundimi i listës së projekteve, për çka po vazhdojnë negociatat dhe konsultimet me institucionet e BE’së.

“Vendi ynë pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive”, shkroi Bislimi.

Përfitimi i këtyre mjeteve nuk është aq i thjeshtë sa e paraqiti Bislimi në postimin e tij.

Përveç kushtëzimit për reforma, Kosova ka para vetes edhe një kusht shtesë: përparimin në dialog dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të arritura në kuadër të këtij procesi. I njëjti kusht vlen edhe për Serbinë.

Këshilli Evropian ka bërë të ditur se parakusht për këto dy shtete është që ato të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si si dhe të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, dhe se ata angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së sipas Planit të Rritjes përfshijnë mbështetjen dhe respektimin e vazhdueshëm për mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumë-partiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pakicave.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të mbulojë periudhën midis vitit 2024 dhe 2027. Ky plan arrin shumën prej gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit, ku nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme. Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave. Kur parakushtet për mbështetje nuk plotësohen ose nuk plotësohen më, BE-ja mund të vendosë të pezullojë lirimin e fondeve.

(Kosova Sot Online )