Kurti: Shumica dërmuese e kriminelëve kanë ikur nga veriu i Kosovës, ata janë multimilionerë nëpër Serbi

  • E.k /
  • 06 June 2024 - 09:21
Kurti: Shumica dërmuese e kriminelëve kanë ikur nga veriu i Kosovës, ata janë multimilionerë nëpër Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “Serbia vazhdimisht bën kërcënime dhe nuk e dimë kur do t’i matrializojë ato”, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti tha se nuk beson se do të mund të përsëritet Banjska në një të ardhme të afërt.

“Ekziston kërcënimi real nga Serbia e shpeshherë i shoqëruar edhe nga Rusia”, ka thënë Kurti.

“Nuk besoj që ata do të mund ta përsërisin Banjskën e shtatorit në një të ardhme të afërt. Më shumë do të provojnë të bëjnë diçka me qëllimin e njëjtë por me mënyra të tjera. E kanë marrë mësimin më 24 shtator. Shumica dërmuese e kriminelëve kanë ikur nga veriu i Kosovës. Ata janë multimilionerë nëpër Serbi sepse janë eksponentë të krimit të organizuar. Dhe kriminelët e luftës nga vitet e ’90 u patën bërë kriminelë të paqes në këtë shekull dhe tash dëshirojnë luftë e cila bëhet si strehë lirie për ta, meqenëse kriminelët e duan luftën, sepse aty në njëfarë mënyre krimi i tyre fashitet”, tha Kurti mbrëmë në një intervistë.

“Për tri vitet e kaluara i kemi shtuar 1852 ushtarë ne FSK dhe 600 ushtarë të rinj sivjet. Nga SHBA po blejmë raketa anti-tank Javelin, ndërkaq nga Republika e Turqisë po blejmë dronë Bayraktar dhe përveç kësaj e kemi katërfishuar numrin e trajnimeve për ushtarë e oficierë jashtë vendit, është trefishuar shpenzimi për armatim e municion e ndërkohë është dyfishuar buxheti për mbrojtje, këto po i bëjmë se ekziston kërcënimi real nga Serbia e shpeshherë i shoqëruar edhe nga Rusia”, tha Kurti.

(Kosova Sot Online)