
Lexoni edhe:
Finalja e suksesshme e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, çelësi kryesor i perspektivës së integrimit
Për shkak të mungesës së mbrojtësi të të akuzuarit Shaban Hasanaj, avokati Ardian Bajraktari është shtyrë seanca e së enjtes në Gjykatën themelore të Pejës, transmeton "Kosova Sot Online".
Lidhur me mungesën e avokatit Bajraktari, kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, tha se i njëjti kishte informuar gjykatën përmes e-mail se për arsye shëndetësore nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty për një datë tjetër.
Në gjykimin e parë, Hasanaj ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim unik prej dy vite e dy muaj burgim për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Përdorim i armës”, pasi iu rikualifikua vepra në shpallje të aktgjykimit nga “Vrasja në tentativë”.
Por, Apeli e ka kthyer në rigjykim për shkak se ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, me rastin e rikualifikimit të veprës penale nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas aktakuzës të ngritur më 22 gusht 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Shaban Hasanaj akuzohet se ka kryer veprën penale të tentim vrasjes dhe atë të përdorimit të armës, pasi në rrugën “Zahir Pajaziti” në Istog, në gjendje të zvogëluar mendore ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mirsad Gegollaj, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një pronë.
Shabanaj po ashtu akuzohet se kishte shkelur Ligjin për Armë, duke keqpërdorë armën e tipit pistoletë, për të cilën kishte leje vetëm për shenjëtari, e me të cilën kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit, duke e lënë të plagosur.
(Kosova Sot Online )