Mundësia e dënimit me burg të ish-presidentit Trump
Donald Trump u shpall fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit në një përpjekje për të fshehur informacionin e dëmshëm mbi të përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Vendimi ka ngritur shumë pyetje mbi ecurinë e fushatës nga Trump, nëse ai detyrohet të vuajë një dënim me burg për këtë. Ish-prokurori federal Steven Cohen nuk pret qënTrump të burgoset së shpejti.
“Do të ketë mocione intensive pas gjyqit dhe më pas do të ketë një apel dhe ai apel do të marrë muaj, ndoshta më shumë se një vit. Pra mendoj se do të jetë kjo që do ta intensifikojë më shumë dramën politike, të paktën fillimisht, se sa historitë mbi fatin e Donald Trump si pasojë e vendimit”, thotë Steven M. Cohen, profesor i Universitetit Juridik të Nju Jorkut.
Dënimi Trump është caktuar të shpallet më 11 korrik. Ekspertët ligjorë thonë se kohëzgjatja e çdo dënimi me burg ka të ngjarë të jetë shumë më e vogël se maksimumi prej 20 vjetësh, që parashikon ligji për 34 akuzat ndaj tij.
“Duke pasur parasysh moshën e tij, mungesën e historisë kriminale dhe rezultati këtu me të vërtetë flet vetë se ai në fakt nuk pritet të përballet me një dënim të gjatë”, thotë avokati Joseph Tully.
Të tjerë theksojnë dënimin me burg që tashmë e ka kryer ish-avokati i tij, Michael Cohen, si precedent për dënimin e Trump.
“Është shumë e rrallë që një vartës i përfshirë në një komplot kriminal të dënohet me burg dhe jo shefi i tij. Donald Trump ishte në krye të këtij komploti kriminal. Michael Cohen kreu një dënim serioz me burg. Ai kaloi muaj të tërë prapa hekurave. Pra, ekziston një precedent për gjykatësin që të dënojë Trump me burg”, thotë Abbe Smith nga Universiteti Georgetown.
Alternativat ndaj dënimit me burg, përfshijnë dënimin me kusht, arrestin shtëpiak dhe dënimin me gjobë. Por ka shumë të ngjarë që dënimi të mos kryhet deri pas përfundimit të procesit të apelimit, i cili mund të përfundojë pas ditës së zgjedhjeve në nëntor.
Çfarëdo dënimi që do të marrë muajin e ardhshëm, ai pritet të ketë ndikim në dënimet për tre çështjet e tjera penale me të cilat Trump përballet.
“Ky verdikt gjyqësor, nëse nuk përmbyset para gjyqeve të ardhshme, do të rezultonte në dënime të mundshme më të larta me burg në gjyqet e ardhshme. Pra vendimi do të ketë pasoja sepse tregon precedent penal. Historia kriminale merret parasysh në caktimin e dënimit”, thotë Preet Bharara, ish-Prokuror federal i Nju Jorkut.
Nga akuzat e tjera federale dhe shtetërore me të cilat përballet ish Presidenti Trump, data e gjyqit mbi dokumentet sekrete në Florida është shtyrë më tej.
(Kosova Sot Online)