Lexoni edhe:
Ambasadori amerikan Hovenier del me kërkesa serioze : Qeveria duhet të marrë disa vendime të vështira
Në rastin ku Ekrem Bajroviq po akuzohet për krime lufte, Daut Elshani dëshmitar i propozuar nga Prokuroria deklaroi se paramilitarët serb ia kishin vrarë djemtë, vëllain dhe djalin e vëllaut, transmeton "Kosova Sot Online ".
“Muhajdinin, Shemsedinin, Nexhmedini, (djemtë e dëshmitarit), Abdullahun, (vëllau i dëshmitarit), Naimin (djali i vëllaut të dëshmitarit), i kanë afru, i kanë shti në atë oborr ku i kanë vra … në oborrin e Dem Zeqirit”, deklaroi Elshani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, ai tha se kur i kishte parë paramilitarët serbë duke i rrahur familjarët e tij, e kishte parë edhe të akuzuarin Bajroviq.
“E kom pa tu mi rreh meshkujt, paramilitarët a çka i kanë thonë atyre. Ekremi u kanë në oborr mrena, u kanë në oborr u enke herë te njëri herë te tjetri … me sy të mijë i kom pa tu mi rreh djemtë”, rrëfeu Elshani.
Ai thotë se paramilitarët serbë e kishin rrahur edhe atë dhe kishin tentuar që ta vrisnin.
“Më kanë rre me kolldak të pushkës, me shkelma, me gjithçka edhe kanë dasht mem vra”, tha Elshani.
Por derisa prokurori Ilir Morina, i bënte pyetje dëshmitarit Elshani, anëtari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi, kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet për shkak të një obligimi familjar.
Këtë kërkesë nuk e kundërshtoi prokurori Morina, ndërsa e aprovoi kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari.
Ndryshe, në seancën e djeshme ishte e paraparë të dëgjoheshin edhe dy dëshmitarë të tjerë, Ismet Kilaj dhe Bajram Dautaj.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 15 shtator 2023, Ekrem Bajroviq po akuzohet gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.
Bajroviq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
(Kosova Sot Online )