Begaj: Serbia është mobilizuar për ta njollosur luftën tonë, s’mund të lejojmë të vendoset shenja e barazimit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25 vjetorin e çlirimit të vendit pëmendi mobilizimin e Serbisë “për të njollosur luftën e drejtë e parimore të shqiptarëve”, përcjell “Kosova Sot Online”.
“Shqiptarët kanë nevojë për ta ruajtur dhe forcuar kohezionin e tyre kombëtar, social e kulturor edhe sot, në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike, mediatike në një fushatë thellësisht keqdashëse për të njollosur luftën e drejtë e parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, ne kemi nevojë më shumë se kurrë që të jemi bashkë, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifestë krenarie kombëtare, kjo nuk ka pse të na kompleksojë”, tha ai.
Begaj tha se shqiptarët s’mund të lejojnë të vendoset barazimi mes “krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë”.
“Ne nuk mund të lejojmë të vendoset shenja e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë. Nuk mund të lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt në një kohë kur bota demokratike, miqtë tanë, po bëjnë çmos që të eliminojnë pengesat e ndryshme për të thjeshtëzuar bashkëjetesën shqiptaro-serbe sipas modeleve europiane”, tha ai.
Begaj tha se shqiptarët kanë përgjegjësi për ta ruajtur paqen.
(Kosova Sot Online)