Macron del me thirrje
Duke folur në një konferencë për shtyp, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se në votimin e së dielës në zgjedhjet europiane qytetarët kanë shprehur shqetësimet dhe vështirësitë e tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Ne duhet të sjellim një përgjigje demokratike”, tha ai.
“Kthimi te populli sovran është, për mendimin tim, i vetmi vendim republikan në këtë kontekst. Është një moment historik për Francën”, tha Macron.
“Që nga nata e së dielës, maskat kanë rënë”, shtoi ai, duke treguar njoftimin e liderit republikan se ai po mbështet një aleancë me të djathtën ekstreme.
Duke hedhur poshtë ekstremet, Macron tha se pala e tij mund të veprojë, duke argumentuar se ka nevojë për një dialog dhe reflektim se si t’i shërbejë më mirë Francës.
“Ne duhet, para së gjithash, të vazhdojmë pandërprerë të veprojmë për siguri dhe qëndrueshmëri më të madhe (shtetërore) dhe të zbatojmë ligjet që janë miratuar, si tekstet tona europiane, për të reduktuar imigracionin e paligjshëm”.
Ai u bëri thirrje socialdemokratëve, të gjelbërve dhe kristian-demokratëve që të bashkohen për një pakt qeverisës, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Presidenti tha se dëshiron që “burrat dhe gratë me vullnet të mirë që ishin në gjendje t’u thonë “jo” ekstremeve, të bashkohen së bashku për të qenë në gjendje të ndërtojnë një projekt të përbashkët”.
Ai u bëri thirrje “shumë nga bashkatdhetarët tanë dhe liderët politikë që nuk e njohin veten në ethet ekstremiste të ndërtojnë një projekt të ri… një koalicion për të qeverisur, një koalicion për të vepruar në shërbim të francezëve dhe për republikën”.
(Kosova Sot Online)