Bislimi: Shtetet mosnjohëse pengesë për statusin e vendit kandidat në BE
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, deklaroi se pesë shtetet mosnjohëse janë pengesë për Kosovën që të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ka frustrim brenda Komisionit Evropian që nuk po arrihet konsensusi, për çka shtoi se janë këto vende të cilat nuk po arrijnë një gjë të tillë.
Pas mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se gara e Kosovës për anëtarësim në BE nuk është e njëjtë në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Bislimi ka deklaruar se Kosova është më e përgatitur se secili vend i Ballkanit Perëndimor për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
“Mosnjohësit nuk po lejojnë ende që të ndërtohet konsensusi brenda këshillit, i cili kërkon dërgimin e pyetësorit tek Komisioni Evropian, në mënyrë që të vlerësohen kapacitetet e Kosovës për të filluar procesin e integrimit, apo për të marrin statusin e kandidatit. Ka frustrim edhe brenda komisionit që ky konsensus nuk po arrihet edhe më tej, ne kemi insistuar shumë herë që konsensusi të gjendet në formën e njëjtë siç është arritur në vitin 2016 kur vendet anëtare janë pajtuar që të kenë divergjenca rreth njohjes së Kosovës, por jo të kenë unitet në mundësimin e ecjes së Kosovës rreth integrimit evropian. Procesi i integrimit liron më shumë fonde të Bashkimit Evropian, por kjo nuk do të thotë që shtyhet për shkak se ne veç jemi duke punuar në zbatimin e agjendës dhe rrjedhimisht jemi shumë më të përgatitur se sa secili vend i Ballkanit Perëndimor në momentin kur e ka marrë statusin e kandidatit”, ka theksuar ai.
Por, Bislimi ka bërë të ditur se ka zëra brenda Komisionit Evropian që nëse Kosova do të garonte në kushte të njëjta me vendet e tjera të rajonit, do të ishte vendi i parë që do të marrë statusin e anëtarit të plotë të BE-së.
“Në qoftë se e shihni se gara e vendeve të tjera është një garë 400 metra me sprint, Kosova e ka 600 metra edhe me pengesa. Edhe ka njerëz edhe brenda komisionit të cilët na vendosin pengesa të vazhdueshme në këtë rrugëtim”, ka thënë ai.
Bislimi ka theksuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por më pas ka pasur kërkesa të devijuara.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që Këshilli i Evropës i ka kërkuar nga Kosova. Edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka thënë Kosova e meriton të jetë anëtare e plotë sepse i plotëson të gjitha kriteret. Pastaj ka pasur kritere që kanë devijuar nga kërkesa e Komisionit Evropian të cilat janë refuzuar nga vetë Asambleja Parlamentare e Komisionit Evropian, siç është kërkesa për dërgimin e një drafti i cili nuk përben faktikisht as draft as dokument sepse as nuk ka nënshkrim as nuk ka pronësi. Deri në momentin e tanishëm ka disa adresa që kanë thënë ky është drafte i joni. Ne nuk dërgojmë artikuj gazetash as opinione, as drafte që nuk kanë autorësi as pronësi në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.
Sipas tij, dialogu me Serbinë çështja e cila mund ta bllokoj Kosovën drejte proceseve integruese.
“Dialogu është pjesë e marrëveshjes së stabilizim asocimit. Është dakorduar nga qeveritë parapake në momentin kur është dakorduar marrëveshja e stabilizim asociimit. Rrjedhimisht ajo do të jetë pjesë e vlerësimit tonë. Por nuk është diçka që bllokon integrimin. Sikur ne të kishim hapur kapituj, do të thuhej se kapituj nuk po mund të mbyllen për shkak se është ende tema e dialogut. Te Serbia është më ndryshe sepse ata e kanë tekë kapituj 35 i cili mund të trajtohet vazhdimisht nëse mund të mbyllet një kapituj apo jo”, ka thënë Bislimi
(Kosova Sot Online)