Naim Tërnava uron Kurban Bajramin derisa bën lutje edhe për rikthimin e paqes në Palestinë e Ukrainë

  • 15 June 2024 - 12:02
Naim Tërnava uron Kurban Bajramin derisa bën lutje edhe për rikthimin e paqes në Palestinë e Ukrainë

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar festën e Kurban Bajramit për besimtarët myslimanë, duke thënë se këto festa duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Nesër është dita e Kurban Bajramit, ditë feste për besimtarët myslimanë në të gjithë botën. Edhe ne në Kosovën tonë i gëzohemi kësaj feste kaq madhështore, e cila shfaqet në shoqërinë e në familjet tona me gëzime e hare, e me një gjuhë falënderuese, duke u përhapur në mesin e të gjithë besimtarëve. Sot, në ditën më të vlefshme të vitit, në këtë ditë të bekuar të Arafatit, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, t’ju uroj për këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së kurbanit, për t’iu afruar kështu edhe më afër mëshirës së pafund të Zotit xh.sh., njëherit, të dashur qytetarë, ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova të fitojë pavarësinë e saj”.

Ai tha se së bashku me miliona haxhilerë nga e mbarë bota, të cilët sot gjenden në Meken e shenjtë për ta kryer haxhin, janë edhe një numër i konsiderueshëm i “vëllezërve dhe motrave tanë nga Kosova dhe vendet e tjera shqiptare, por edhe nga mërgata e largët, të cilët, bëjnë lutje për faljen e mëkateve dhe për begati nga Krijuesi Fuqiplotë”.

“Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë, duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit, duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Vetëm kështu forcojmë edhe më shumë trungun tonë familjar, e ushqejmë atë me vlerat fetare dhe kombëtare, dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë”.

Tërnava ka bërë lutje për rikthimin e paqes në Palestinë dhe Ukrainë.

“Andaj, me këtë rast, lus Zotin e Madhëruar që të na mbulojë me paqen, bekimin dhe mëshirën e kësaj dite të bekuar! T’i falë vendit tonë dhe mbarë botës mirësi, begati, siguri dhe stabilitet, e në veçanti të lutemi o Zot që paqja të rikthehet edhe në Palestinë dhe Ukrainë!”.

Ai gjithashtu bëri thirrje për promovim të paqes në Kosovë.

“Ne si qytetarë të këtij vendi, duhet të punojmë në promovimin e paqes, përhapjen e vëllazërisë dhe tolerancës, larg konflikteve dhe luftërave, gjithherë të gatshëm për t’i konsoliduar vlerat e vëllazërisë dhe bashkëjetesës njerëzore. Le të mbetet kjo festë simbol i sakrificës, shërbimit dhe bindjes ndaj Zotit të Plotfuqishëm, me thirrjen për qytetarët që të frymëzohen nga kuptimet e unitetit, dashurisë dhe paqes, e larg urrejtjes e përçarjeve”. 

“Kryerja e haxhit dhe therja e kurbanit janë dy rituale kyçe, të cilat i japin domethënien dhe ia shtojnë vlerën festës së Kurban Bajramit. Haxhi është një ndër veprat më të mira te Zoti i Madhëruar pas besimit. Muhamedi a.s., ka thënë: Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim përveç Xhenetit.”

Ai tha se Therja e kurbanit është “përkujtim i ngjarjes së Ibrahimit a.s., me birin e tij, Ismailin, dhe hedijen që ia dërgoi Zoti Ibrahimit a.s.. Në shenjë të kësaj, të përkujtimit të synetit të Ibrahimit a.s., edhe ne sot therim kurban”.

“Nuk ka dyshim se kjo festë e çmuar dhe e shtrenjtë për shpirtrat dhe zemrat e myslimanëve, bart brenda vetes shumë kuptime të mëdha të besimit, por mbi të gjitha, kjo është një festë, në të cilën kuptimet e sakrificës dhe shpagimit, janë respektimi i sinqertë dhe besnik i vullnetit të Zotit të Madhëruar. Qëndrimi i haxhilerëve në rrafshnaltën e Arafatit, është shprehja më elokuente e unitetit të myslimanëve dhe një mishërim i gjallë i kuptimeve të përkushtimit ndaj mësimeve të larta islame. Ky është një thellim praktik i virtyteve dhe vlerave të lavdërueshme njerëzore, të mbushura me unitetin e ndjenjave shpirtërore dhe konfirmim i së vërtetës dhe i barazisë. Atmosferën e pastër shpirtërore që sjellë në jetën tonë gëzimi i Kurban Bajramit, dhe ndjenjat sublime që ai krijon, pastrojnë zemrat dhe shpirtrat e besimtarëve. Ato krijojnë një gjendje shërimi e gatishmërie, që kërkojnë rishikim dhe vlerësim për të nxjerrë mësime dhe leksione prej tyre, për të rishikuar me përgjegjësi veten e tij, në mënyrë që të shmanget urrejtja e përjashtimi”.

“Kurban Bajrami është një rast i madh dhe unik, nga i cili frymëzohemi dhe mësojmë prej tij vlerat më të larta të sakrificës dhe shpërblimit. Prej tij nxjerrim kuptimet më të larta të mëshirës, besnikërisë, kënaqësisë dhe nënshtrimit ndaj Zotit të botëve, për të ndjekur udhëzimet e vulës së të dërguarve, mësuesit tonë, Muhamedit a.s.. Duke përtërirë besëlidhjen e dhënë Zotit xh.sh., ne zotohemi të përhapim vlerat e dashurisë, qytetërimit, tolerancës dhe harmonisë. Me këtë besëlidhje ne jemi dakord që ta forcojmë komunikimin, solidaritetin dhe bashkëpunimin në drejtësi e devotshmëri, nga besimi e deri te shpresa”.

“Nuk ka dyshim se jemi të vetëdijshëm për sfidat që e rrethojnë vendin dhe popullin tonë, por besimi te Zoti dhe besimi ynë i fortë dhe i sinqertë në vullnetin e popullit tonë, na shtyn të punojmë së bashku për t’i kapërcyer këto sfida dhe për të arritur sigurinë dhe promovimin e paqes dhe stabilitetit. Edhe njëherë, urime kjo festë e bekuar e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët brenda dhe jashtë Kosovës!”.

(Kosova Sot Online )