Tallej edhe me Srebrenicën ,ministri në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut i quan terroristët e Banjkës “heronj”
Kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviq, aktualisht deputet, por i cili pritet të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër në koalicionin qeverisës në mes të VMRO-së dhe VLEN-it ka thurur lavde për terroristët serbë që u vranë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit nga zyrtarët policorë të Kosovës.
“Lavdi e përjetshme popullit serb që me gjithë terrorin e paparë mbijeton në djepin serb dhe nuk i lë vatrat e tij shekullore përballë bishave të egra të Kurtit dhe dragonjve ndërkombëtarë. Lavdi serbëve nga Kosova që dhanë jetën në mbrojtje të shtëpive dhe tokës së tyre amtare nga shtypja dhe tirania në rritje nga autoritetet e regjimit pushtues të shqiptarit dhe prehu në paqe polici shqiptar”, tha Stoilkovç në një deklaratë me shkrim për media.
Tutje në deklarimin e tij, Stoillkoviq ka akuzuar bashkësinë ndërkombëtare se “po abuzon me popullin serb”, duke shtuar se “është gjithnjë e më e qartë se qëllimi i tyre është t’i dëbojnë serbët dhe se paqja pa serbët është historia e tyre kryesore”.
“Në të njëjtën kohë, ata harrojnë se asnjë okupim nuk ka zgjatur përgjithmonë, kështu që as ky”, potencoi ai.
Stoillkoviç, i njohur për qëndrime anti-shqiptare, i cili Kosovën e konsideron “pjesë të Serbisë” siç raportojnë mediat në RMV në koalicionin qeverisës në mes të VMRO-së dhe VLEN-it do të jetë do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër për Marrëdhënie mes Bashkësive.
Ndryshe, ndaj Stoillkoviçit, dy subjekte boshnjake të vendit, Bashkimi Demokratik Boshnjak dhe shoqata Këshillit Nacional Boshnjak kanë ngritur kallëzim penal për mohimin dhe talljen e gjenocidit në Srebrenicë.
Ministria që pritet ta drejtojë Stoillkoviqi deri më tani është drejtuar nga Artan Grubi. Kjo ministri ka për obligim që të kujdeset për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, kornizë që nga viti 2001 rregullon marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Më 12 qershor, Hristjan Mickoski, lideri i VMRO-DPMNE-së, ka marrë të enjten mandatin nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Dakova, për të formuar qeverinë e re maqedonase, në cilësinë e fituesit të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.
Qeveria e re maqedonase do të përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja si bartëse e ekzekutivit –e cila, përveç kryeministrit, do ketë numrin më të ministrive – koalicioni i disa partive shqiptare “VLEN”, dhe Lëvizja “ZNAM”.
Ekzekutivi i ri në RMV po krijohet pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, në të cilat në kampin maqedonas fitoi bindshëm VMRO, me plotë 58 deputetë, ndërsa te shqiptarët fitore korri “Fronti Evropian”, me 18 mandate, apo 4 më shumë se “VLEN”-i.
Por, përkundër kësaj, VMRO-ja ka përzgjedhur “VLEN”-in që të bëjë koalicion, duke anashkaluar kështu parimin fituesi me fituesin (te shqiptarët dhe te maqedonasit).
(Kosova Sot Online)