Stano: Borrell e ka dërguar raportin për masat ndaj Kosovës te shtetet e BE-së

  • A.P /
  • 18 June 2024 - 15:33
Stano: Borrell e ka dërguar raportin për masat ndaj Kosovës te shtetet e BE-së

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se kryediplomati Borrell e ka dërguar tashmë raportin për masat ndaj Kosovës te shtetet e BE-së, duke shtuar se përmbajtjen nuk do ta diskutojnë në publik meqë është “raport i brendshëm”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Raporti i Përfaqësuesit të Lartë u është dorëzuar shteteve anëtare. Ata tani do të kenë një diskutim për masat ndaj Kosovës në bazë të këtij raporti. Raporti është i brendshëm dhe i bërë për shtetet anëtare, kështu që ne nuk do të diskutojmë përmbajtjen e tij në publik”, tha Stano.

Pasi Kosova organizoi referendumin në komunat veriore të vendit si kushti i fundit që e plotësoi nga marrëveshja e Bratisllavës, e cila u dakordua në mes të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak, Borrell kishte nisur hartimin e këtij raporti. Marrëveshja ishte për shtensionimin e situatës.

Siç kishte thënë Stano më herët, në këtë raport është përfshirë edhe aksioni i fundit i autoriteteve të Kosovës për mbyllje të degëve të së ashtuquajturës Banka Kursimore Postare e Serbisë në Kosovë.

Qershorin e vitit të kaluar BE kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri të vendit. Tensionet në veri kishin shpërthyer në maj të vitit të kaluar kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale. Ndërkaq, ato  kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

(Kosova Sot Online)