Ja ku ndodhen mostrat biologjike të Banjskës

  • A.P /
  • 18 June 2024 - 19:31
Ja ku ndodhen mostrat biologjike të Banjskës

Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se mostrat biologjike, të gjetura në vendin ku qëndruan terroristët që kryen sulmin në shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, janë dërguar për ekzaminim në Finlandë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këto mostra do të mund të ekzaminoheshin edhe në Laboratorin e Toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, po të mos ishte jashtë funksionit shkaku i zjarrit që e kishte kapluar vjet.

Për këtë arsye, MD kishte thënë se në koordinim me Prokurorinë Speciale, mostrat janë dërguar jashtë vendit dhe se presin rezultatet brenda një afati optimal.

“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, Ju informojmë se Prokuroria Speciale në këtë fazë të procedurës nuk mund të ofron informacion, me qëllim të mos dëmtimit të procedurës hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Javën e ardhshme bëhen nëntë muaj nga dita kur u krye ky sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë rast, akoma nuk është ngritur aktakuzë.

Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka kritikuar Prokurorinë Speciale për trajtimin e këtij rasti dhe mos ngritjen e aktakuzës.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 14 prill të këtij viti, Kurti kishte thënë se edhe po të ishte java e tretë pa aktakuzë do të duhej të problematizohej kjo çështje, e jo që atëherë ishin bërë 30 javë nga sulmi.

“Këtu, më duhet të sjellë ndërmend që sot po hymë në javën e 30 prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit tonë për sulmin terrorist që na e vrau, rreshterin, heroin, Afrim Bunjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej se lërë më java e 30-të në të cilën hymë sot!”, kishte deklaruar Kurti.

Deklarata të ngjashme Kurti kishte dhënë edhe më herët, ku kishte nxitur reagimin e Këshillit Prokurorial.

KPK i kishte kërkuar Kryeministrit që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial.

“Rrjedhimisht, KPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të gjitha organet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe autorizimet e vlefshme në vend dhe se këto deklarata i quan paraqitje publike të ricikluara të Kryeministrit që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta, të cilat po bëhen në secilin rast që atij dhe anëtarëve të kabinetit të tij iu jepet mundësia”, thuhej ndër të tjera në reagim.

(Kosova Sot Online)