Bislimi: Kosova – shtet që synon anëtarësimin në OKB, BE, NATO e KiE
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova është një shtet i cili synon anëtarësimin në OKB, BE, NATO dhe Këshill të Evropës, përcjell “Kosova Sot Online”.
Këtë deklaratë, Bislimi e bëri në pritjen e organizuar nga ambasada britanike në Kosovë, me rastin e ditëlindjes së madhërisë së tij, Mbretit Charles III.
Në fjalën e tij, ai shprehu se Mbretëria e Bashkuar mban një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet tona, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Në rrugëtimin tonë për liri, Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë një aleat i palëkundur – një komb që përkrah lirinë dhe vlerat demokratike, që na qëndruan pranë gjatë luftës dhe përpjekjeve tona për çlirim, dhe vitet pasuese të rindërtimit të vendit tonë. Javën e kaluar, pritëm ish-kryeministrin Tony Blair, për të shënuar së bashku 25 vjet nga çlirimi i Kosovës. Ne e vlerësojmë shumë dhe nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen e tij të palëkundur gjatë luftës.” tha zëvendëskryeministri.
(Kosova Sot Online)