Bislimi: Avionët luftarakë MIG 29 fluturojnë përreth kufirit me Kosovën
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi është takuar me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenca, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi atë me situatën në vend e rajon dhe çështjen e dialogut me Serbinë.
Sipas njoftimit, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi Ndihmës Sekretarin Jenca me zhvillimet e fundit, duke shprehur konstruktivitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të palës sonë në këtë proces, i cili fatkeqësisht është përballur me destruktivitetin dhe mungesën e vullnetit e gatishmërisë për hapa tutje e zbatim të marrëveshjeve nga ana e palës tjetër.
Mbi qasjen destruktive dhe kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën, zëvendëskryeministri rikujtoi se, Serbia ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me shteton tonë. “Në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me Kosovën dhe fluturon me avionët luftarakë MIG 29 përreth kufirit”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, Bislimi po ashtu theksoi se vendi po avancon e zhvillohet me ritëm të shpejtë, pavarësisht barrierave me të cilat po përballemi. “Sipas të dhënave më të fundit dhe nga ASK-ja, tremujori i parë i këtij viti ka shënuar rritje ekonomike në nivelin 5.62%. Edhe projeksionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet e ardhshme, si dhe rankimet ndërkombëtare të Kosovës në shumë fusha, qëndrojnë si dëshmi e progresit të vendit tonë”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se rritja e BPV-së, rritja e punësimit, sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, janë synime qenësore për Qeverinë.
Ndihmës Sekretari Jenca po zhvillon një tur ballkanik, ndalesë e radhës e së cilës është vendi ynë, ku do të qëndrojë në një vizitë dy ditore.
Në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri e falënderoi zyrtarin e OKB-së për bisedën e zhvilluar, si dhe i dëshiroi qëndrim produktiv e të frytshëm në Kosovë.
(Kosova Sot Online)