Murati: Ua kemi subvencionuar faturat e rrymës mbi 61 mijë familjeve të cenueshme
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se për gjashtë muaj me radhë, janë mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, pa të ardhura ose me të ardhura më të ulëta, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike, përcjell “Kosova Sot Online”.
Ai ka bërë me dije se familjet përfituese edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike.
Tutje, Murati ka thënë se kjo masë, e cila ka qenë e mbështetur financiarisht nga Pakoja Energjetike e BE’së, pritet të riaktivizohet në stinën e dimrit.
Postimi i plotë:
Për 6 muaj me radhë, kemi mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike.
Familjet përfituese, edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike.
Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme.
Mësimet e informatat që kemi mbledhur përgjatë pilotimit 6-mujor do të përdoren që të dizajnojmë masën e rregullt të mbështetjes së familjeve të cenueshme, e cila pritet të ri-aktivizohet në stinën e dimrit.
Masa e pilotimit ka qenë e mbështetur financiarisht nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian, në kuadër të mbështetjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e krizës energjetike.
(Kosova Sot Online)