Sandulloviq: Media e kontrolluar nga Vuçiq e Radoiçiq, po e përgatisin opinionin serb për likuidimin tim dhe dy personave të tjerë

  • E.k /
  • 25 June 2024 - 12:47
Sandulloviq: Media e kontrolluar nga Vuçiq e Radoiçiq, po e përgatisin opinionin serb për likuidimin tim dhe dy personave të tjerë

Politikani serb, Nikolla Sandulloviq thotë se jeta e tij është në rrezik. Ai i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar ndërhyrje dhe mbrojtje të menjëhershme, para siç thotë ai, të jetë shumë vonë.

Sandulloviq thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përmes Informer, medias që e kontrollon dhe që punon në shërbim të tij, në një farë forme kanë kërkuar hapur likuidimin e tij.

“Në Serbi, përmes medias kryesore të regjimit “Informer”, në pronësi të Dragan Vuçiçeviç, bashkëpunëtor i ngushtë i Milan Radoiçiqit dhe Aleksandar Vuçiqit, po kërkohet likuidimi i hapur i meje, Boban Bogdanoviqit dhe Jova Bakiqit. Të gjithë ne akuzohemi rrejshëm se kemi vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e Aleksandër Vuçiqit, duke na lidhur rrejshëm me një grup të caktuar kriminal që është në konflikt të drejtpërdrejtë interesi me Aleksandar Vuçiqin dhe me të cilin askush nga ne nuk ka pasur kontakte! Ne jemi renditur si objektiva, duke thënë në tekst se jemi avokatë të Kosovës së pavarur, se ne e njohim gjenocidin në #Srebrenicë, se ne duam të bashkohemi me BE  dhe NATO , dhe se ne jemi avokatë të politikës amerikane në Serbi”. Ka shkruar Sandulloviq.

Për shkak të këtyre qëndrimeve, ai thotë se që të tre etiketohen si objektiv i rrezikshëm në Serbi.

“Të njëjtat media na akuzojnë edhe për urrejtje patologjike ndaj Aleksandër Vuçiqit dhe se jemi në rrezik për jetën dhe sigurinë e tij. Situata në fakt është e përmbysur sepse të gjithë ne, jemi të kërcënuar me likuidim pikërisht nga ata që na akuzojnë rrejshëm”, ka thënë Sandulloviq.

“Unë me përgjegjësi pretendoj se të gjithë të listuarit janë në fakt opozita e vërtetë e diktaturës në pushtet në Serbi dhe se ne jemi të vetmit që nuk kemi dashur t’i dorëzohemi krimit të Vuçiqit dhe të pranojmë sundimin e diktaturës në Serbi. Për shkak të kësaj, ne të gjithë jemi etiketuar si viktima të ardhshme”, ka thënë ai, duke i bashkëngjitur postimit të tij në X edhe një tekst të publikuar nga “Informer” dhe pronari i saj Dragan Vuçiqeviq për të cilin Sandulloviq thotë se është vetëm përgatitja e opinionit serb për likuidimin e tij, Bogdanoviqit dhe Bakiqit.

(Kosova Sot Online)