Hoxha: Prokuroria s’del me raporte as për BE-në e as për Qeverinë Kurti

  • A.P /
  • 26 June 2024 - 18:00
Hoxha: Prokuroria s’del me raporte as për BE-në e as për Qeverinë Kurti

Ish-prokurori kosovar, Sylë Hoxha, ka folur për rastin e Banjskës dhe për kritikat që po bëhen se pse ende s’ka aktakuzë, transmeton  gazeta "Kosova Sot Online".

Hoxha ka thënë se rasti është voluminoz dhe i komplikuar meqë ka ndodhur në Veri të Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se s’dyshon ën angazhimin e prokurorëve dhe hetuesve kosovarë.

“Rasti i Banjskës është mjaft voluminoz që kërkon kohë, punë dhe angazhim shumë të madh. S’dyshoj në angazhimin e prokurorit, apo më shumë prokurorëve dhe me hetuesit e krimeve të rënda që punojnë. Kam pas rast t’i njohë. Ky rast voluminoz merr kohë.

Nuk është ngritë, se s’grumbullohen provat aq lehtë. Ka ndodhë në pjesën Veriore dhe s’është aq lehtë”, ka thënë Hoxha.

Ai tutje ka thënë se Prokuroria s’del me raporte as për BE-në e as për Qeverinë dhe se në momentin kur të grumbullojnë provat ata dalin me aktakuzë. Hoxha thotë se bërja publike e detajeve të hetimit, e dëmton procesin.

“Rasti është mjaft kompleks dhe duhet të përgatitet. Dhe Prokuroria s’dalin me raporte me njoftuar Qeverinë dhe BE-në, por dalin me aktakuzë kur të grumbullojnë provat”, ka shtuar tutje ai.

Hoxha thotë se vonesa në përgatitjen e aktakuzës do të ndikojë pozitivisht që ajo të jetë më voluminoze dhe e qëndrueshme.

“Vonesa mendoj që do ta kompletojë dhe aktakuza do të jetë më e fortë dhe më e qëndrueshme. E them nga përvoja që kam pasur”, ka potencuar Sylë Hoxha.


(Kosova Sot Online)