Hoti: Tri projektligje, janë qartësisht antikushtetuese

  • A.P /
  • 26 June 2024 - 20:02
Hoti: Tri projektligje, janë qartësisht antikushtetuese

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka paralajmëruar se të tre projektligjet që janë në agjendë për nesër, do të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese, transmeton  gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas tij edhe Projektligji për KPK-në edhe ai për KPM-në e për Zyrtarë Publik, kanë qëllim që të fusin në kontroll pushtetet e ndara kushtetuese, por që do të zhbëhen nga Gjykata Kushtetuese.

 Postimi i plotë:

Tri projektligje, të cilat nesër janë në agjendë të Kuvendit, janë qartësisht antikushtetuese:
1. Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

2. Projektligji për Zyrtarët Publik dhe

3. Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Dy nga këto ligje njëherë janë shpallur në kundërshtim me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Pavarësisht aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe vërejtjeve nga BE-ja dhe organizata të tjera të rëndësishme ku Kosova tenton të anëtarësohet, Qeveria dhe shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës po i shtyjnë përpara këto nisma ligjore antikushtetuese.

Qëllimet e tyre janë malicioze:

- futja nën kontroll e pushteteve të ndara kushtetuese,

- shkarkimi i zyrtarëve publik, shumë prej të cilëve me përvojë sipas sistemit të karrierës bazuar në standardet evropiane të ndërtimit të shërbimit civil të pavarur,

- shtrimi i ndikimit në media, të cilat po i rezistojnë presionit të qeverisë, e cila përveç se karakterizohet me ‘demokraci elektorale’, asnjë veti të qeverisjes demokratike nuk e ka treguar në këto katër vite.

Asnjë nga këto nisma nuk do të arrijë të hyjë në fuqi. Të gjitha do të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese. Çdo njohës mesatar i Kushtetutës së Kosovës e ka të qartë epilogun e këtyre nismave ligjore.

(Kosova Sot Online)