Policia zbulon më shumë detaje rreth hetimeve për Banjskën pas deklaratave të Stanos

  • S.A /
  • 27 June 2024 - 12:10
Policia zbulon më shumë detaje  rreth hetimeve për Banjskën pas deklaratave të Stanos

Deklarata e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, lidhur me hetimet për Banjskën, ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës. Pas rreth nëntë muajsh heshtje, Policia ka vendosur tek tash të ndajë disa rezultate të hetimit.  Policia ka zbuluar numrin e terroristëve të identifikuar deri tash, kallëzimet penale të ngritura, numrin e urdhër-arresteve vendore dhe ndërkombëtare si dhe veprat për të cilat dyshohen. Kanë përsëritur po ashtu se disa prova janë dërguar jashtë vendit për ekzaminim dhe se përgjigja ende s’ka ardhur.

48 terroristë të identifikuar, kallëzime penale ndaj 45 personave, urdhër-arreste vendore kundër 41 të dyshuarve dhe 39 urdhër-arreste ndërkombëtare. Ky është rezultati i deritashëm i hetimit nëntëmujor të Policisë në bashkëpunim me Prokurinë Speciale, lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.

Policia i ka ndarë këto informacione  dy ditë pasi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se për të proceduar Bashkimi Evropian me hapa ndaj Serbisë për Banjskën, duhet të finalizohet raporti i hetimeve nga autoritetet e Kosovës.

“Hetimi duhet të përfundohet nga autoritetet e Kosovës. Kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës janë në krye të hetimit dhe të sigurojnë ose të ndajnë gjetjet e plota të hetimit dhe kjo s’ka ndodhur ende, prandaj nuk mund të procedojmë pa e pasë rezultatin e hetimeve”, deklaroi Stano.

Zëdhënësi i BE’së këtë e tha kur u pyet nga gazetarët se pse BE s’po e ndëshkon Serbinë për Banjskën.

Në një përgjigje për medien, Policia ka thënë se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Deri më tani Policia e Kosovës ka identifikuar dyzet e tetë (48) persona të dyshuar që kanë marr pjese ne sulmin terrorist, perfshire në këtë numër edhe tre (3) personat e neutralizuar gjatë operacionit kundër terrorizmit të datës 24 Shtator 2023. Policia e Kosovës ka ngritur kallezime penale kundër dyzet e pesë (45)  personave (duke përfshirë edhe ndaj tre (3) personave qe gjenden nën masën e paraburgimit)…”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Kallëzimet penale janë ngritur nën dyshimet se janë konsumuar veprat: Vrasje e rëndë, sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës,. Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, kryerja e veprës terroristge, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, shpërlarja e parave dhe financim i terrorizmit.

Policia ka zbuluar edhe numrin e urdhër-arresteve vendore dhe ndërkombëtare që janë ngritur deri tash për këtë rast.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale deri tani ka ngritur urdhër-arreste vendore kundër dyzet e një (41) personave të dyshuar, si dhe tridhjetë e nëntë (39) urdhër- arreste ndërkombëtare”, kanë deklaruar nga Policia.

Disa prova nga ky rast, Policia ka bërë me dije se janë dërguar jashtë vendit, por se përgjigjet ende nuk i kanë marrë.

“Të gjitha të gjeturat gjate ekzaminimit të vendit te ngjarjes, dëshmive të sekuestruara, por edhe gjatë analizimit dhe ekzaminimit të dëshmive, së bashku me të gjitha shkresat e lëndës dhe dokumenteve përcjellëse janë vënë me kohe në dispozicion të Prokurorisë Speciale. Me qellim të zhvillimit të hetimeve të plota, në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka qenë e nevojshme që disa prova të dergohen jashtë vendit, për te cilat ekzaminime ende nuk kemi pranuar përgjigjet”, përfundon përgjigja e Policisë.

Për deklaratën e Stanos, me reagim kanë dalë edhe nga Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se si Qeveri, Bashkimit Evropian ia kanë dorëzuar një raport 48-faqësh.

Ai ka thënë se nëse Stano e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkohet përgjigje nga vetë ky institucion.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë. Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga ky institucion”, ka deklaruar Kryeziu.

Sikurse shefi i tij, edhe Kryeziu ka kritikuar Prokurorinë Speciale për mënyrën se si po e trajton rastin.

“Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Milan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, ka thënë Kryeziu.

Për deklaratën e Stanos, ka reaguar edhe Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, i cili tha se Kosova ka dërguar jo një, por disa raporte BE’së.

Sipas Bajramit, Ambasada e Kosovës në Bruksel zyrtarisht ka informuar BE-në dhe shtetet anëtare për sulmin në Banjskë, nëpërmjet disa dokumenteve. Ai ka renditur të gjitha procedurat që ka ndërrmarrë Kosova menjëherë pas sulmit.

Më 24 shtator, ditën e sulmit, Bajrami thotë se janë dërguar informacione urgjente për sulm terrorist. Dokumenti kishte dy faqe.

Dy ditë më vonë, më 26 shtator, ka thënë se është dërguar dokumenti 12 prej 12 faqesh me informacion fillestar.

Më 28 shtator, sipas Bajramit, është dërguar dokumenti 10 faqor me informacione faktike, teksa më 9 tetor është dërguar kopje fizike e gjetjeve preliminare, dokument ky prej 46 faqesh, që i është dorëzuar delegacionit të EEAS-it.

Më 18 tetor, Bajrami thotë se gjetjet u janë dërguar të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s.

“Më 20 tetor, raporti preliminar (51 faqe) iu dërgua BE-së, NATO-s dhe të gjitha shteteve të tyre anëtare. Gjatë dhjetorit 2023 dhe gjatë periudhës janar-shkurt 2024, u ndanë versionet e përditësuara të raportit. Informacionet e përfshira në këto dokumente janë faktike, të vërtetuara dhe bindëse përtej dyshimit të arsyeshëm” shkroi Bajrami në profilin e tij në “X”.

Ndryshe, të hënën janë bërë nëntë muaj nga dita kur u krye ky sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë rast, akoma nuk është ngritur aktakuzë.

Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka kritikuar Prokurorinë Speciale për trajtimin e këtij rasti dhe mos ngritjen e aktakuzës.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 14 prill të këtij viti, Kurti kishte thënë se edhe po të ishte java e tretë pa aktakuzë do të duhej të problematizohej kjo çështje, e jo që atëherë ishin bërë 30 javë nga sulmi.

“Këtu, më duhet të sjellë ndërmend që sot po hymë në javën e 30 prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit tonë për sulmin terrorist që na e vrau, rreshterin, heroin, Afrim Bunjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej se lërë më java e 30-të në të cilën hymë sot!”, kishte deklaruar Kurti.

Deklarata të ngjashme Kurti kishte dhënë edhe më herët, ku kishte nxitur reagimin e Këshillit Prokurorial.

KPK i kishte kërkuar Kryeministrit që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial.

“Rrjedhimisht, KPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të gjitha organet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe autorizimet e vlefshme në vend dhe se këto deklarata i quan paraqitje publike të ricikluara të Kryeministrit që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta, të cilat po bëhen në secilin rast që atij dhe anëtarëve të kabinetit të tij iu jepet mundësia”, thuhej ndër të tjera në reagim.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, hetimi përfundon brenda dy viteve.

Por, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, “gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga paragrafi 1 i këtij neni deri në një vit, kur prokurori i shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit.”

(Kosova Sot Online )