Reagime të ashpra nga Qeveria ndaj Gjykatës Kushtetuese pas rrëzimit të fundit të disa ligjeve, zotohen se do ta “shkruajnë” përsëri Byronë e konfiskimit

  • S.A /
  • 27 June 2024 - 12:16
Reagime të ashpra  nga Qeveria ndaj Gjykatës  Kushtetuese pas rrëzimit të fundit të disa ligjeve, zotohen se  do ta “shkruajnë” përsëri Byronë e konfiskimit

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dje edhe një goditje Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti duke e  shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kushtetuesja bëri të qartë se pesë nene të këtij ligji bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Vendimi nuk u mirëprit aspak mirë nga pushteti. Madje ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu akuzoi gjyqtarët e Kushtetueses për shërbim ndaj “nomenklaturës së vjetër”. Zyrtarë të lartë të VV-së deklaruan të bindur se Byroja do të bëhet pavarësisht vendimit të djeshëm.

Pushteti nuk e priti aspak mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Menjëherë filluan akuzat në drejtim të gjyqësorit. Ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ajo që tha se me këtë vendim, Kushtetuesja po i shërben “nomenklaturës së vjetër”.

Ajo u zotua se “byroja do të bëhet dhe se pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet”.

“Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithsej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm. Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, shkroi Haxhiu në profilin e saj në Facebook, pas publikimit të vendimit nga Kushtetuesja.

Edhe zëvendësi i Haxhiut, Blerim Sallahu qe i ashpër me gjyqtarët e Kushtetuese. Ai i u shpreh i bindur se Byroja do të bëhet, teksa shtoi se e kanë gabim ata që mendojnë se mund ta ndalojnë Vetëvendosjen.

“Nëse mendoni që do të na stoponi e keni shumë shumë gabim. VETËVENDOSJE! jemi NE. Kuptone drejt dhe qartë. Menjëherë do të fillojmë me plotësimin e dëshirave (të cilat nuk janë të tyre) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të bëhet”, tha Sallahu.

Zëvendësministri tjetër i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, tha se nuk ka forcë apo interes që do i ndalë në siç e quan ai realizimin e “kontratës të Qeverisë me qytetarët e Kosovës”.

“Sot, Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetues në tërësinë e tij, Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Rreth 485 ditë ju deshën Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim të përçudshëm, që bie ndesh, jo vetëm me interesin publik, por edhe me praktikat e etabluara të Komisionit të Venedikut. Madje, pesë gjyqtarë të kësaj Gjykate i paskan gjetë “behane” tërë Ligjit, e jo vetëm ndonjë dispozite të tij, siç ndodh zakonisht! Paçka se ky ligj është draftuar me kujdes nga grupe punuese profesioniste – në procedurë standarde që ndiqet me vite të tëra dhe duke pasur parasysh praktikat dhe udhëzuesit e Komisionit të Venedikut”, deklaroi Qorrolli, që dikur synonte të bëhej gjyqtar i kësaj gjykate.

Kritikave për Kushtetuesen iu bashkëngjit edhe deputeti i VV-së, Dimal Basha duke thënë se kjo sjell veç vonim e jo shpëtim.

“Veç vonim, se shpëtim s’ka! Paret e vjedhura duhet me ia kthy atyre që ia keni marrë, popullit!!”, deklaroi Basha.

Vendimi i Kushtetueses  mbështet nga opozita dhe konsiderohet  fitore e sundimit të Ligjit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri tha se ky anulim i Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është fitore e sundimit të ligjit.

“Anulimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është fitore e Shtetit të së Drejtës përballë përpjekeve të vazhdueshme arbitrare të këtij pushteti për të zëvendësuar drejtësinë që duhet ta japin gjykatat me një byro partiake që do të shkatërronte sigurinë juridike të qytetarëve në emër të “reformës” në drejtësi. Kjo është fitore e sundimit të ligjit dhe e të drejtave të njeriut mbi tendencën për frikësim e shantazh nga pushteti”, tha Tahiri.

Sipas tij, ky ligj është dëshmi që pushtetit aktual më shumë i intereson propaganda sesa shteti ligjor, sepse përndryshe thotë se do t’i zbatonin ligjet që i kanë trashëguar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. 

“Po ashtu, ky Ligj, i rrëzuar sot nga Gjykata Kushtetuese, ishte kundër standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, sepse ishte një kopje e ligjit të Bullgarisë, i cili, vitin e kaluar, u rrëzua nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Falënderoj deputetët e PDK-së dhe ekspertët tanë për punën profesionale në argumentimin e suksesshëm të rastit, si dhe për vendosmërinë që bindjen dhe drejtësinë të mos ia nënshtrojnë propagandës dhe narracioneve populiste”, shkroi Tahiri.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se për shoqëritë demokratike nuk ka gjë më të neveritshme se sa sulmi ndaj sistemit të drejtësisë.

Kështu ka thënë Tahiri pas deklaratave të ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu e zëvendësit Blerim Sallahu kundër Gjykatës Kushtetuese.

“Për një shoqëri demokratike dhe ku askush nuk është mbi ligjin, nuk ka gjë më neveritëse se sa sulmi ndaj sistemit të drejtësisë dhe kundër Gjykatës Kushtetuese. Seanca e nesërme, siç po e potencon edhe Bashkimi Evropian karakterizohet me tri Ligje që qëllim të vetëm e kanë kapjen e institucioneve të pavarura dhe administratës shtetërore. Ky veprim është i paprecendent dhe antidemokratik!”, është shprehur Tahiri.

Si përfundoi ky Ligj në Kushtetuese?

Ligji kishte kaluar në Kuvend në shkurt të vitit të kaluar, me votën pro të 66 deputetëve. Disa ditë më pas, Partia Demokratike e Kosovës i ishte drejtuar Kushtetueses për vlerësim të kushtetueshmërisë së këtij ligji.

Ky ligj i ishte nënshtruar dy herë vlerësimeve të Komisionit të Venecias. Nëpërmjet një konferencë te jashtëzakonshme, në qershor të vitit 2022, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishin njoftuar se i kanë pranuar opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun në drejtësi e për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.  Ata kishin thënë se kanë marrë mbështetje të plotë në jetësimin e këtyre reformave, pavarësisht se nga Komisioni ishin gjetur mangësi dhe ishin bërë rekomandime që duhen të inkorporohen në draftin final.

Herën e fundit ishte dërguar për vlerësim në nëntor të vitit 2022. Në mars të vitit të kaluar, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se përmes një Opinioni përcjellës, Komisioni sërish ka konfirmuar se Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifkueshme ka adresuar të gjitha komentet e Komisionit.

“Komisioni konfirmon se Ligji ka krijuar garanci për pavarësinë e Byrosë, ka përcaktuar saktë procedurën e verifikimit, dhe ka përmirësuar garancitë e të drejtave të njeriut për subjektet në procedurë, ndër tjerash. Komisioni i Venedikut po ashtu edhe ka lavdëruar nismat legjislative të Qeverisë për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe paratë e fituara në mënyrë të paligjshme”, kishte shkruar Haxhiu.

Pas vlerësimeve nga Komisioni i Venecias, nga partia në pushtet ishin shprehur optimist se Kushtetuesja do të vendosë në favor të tyre.

Në mars të këtij viti, Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, kishte thënë se pavarësisht vonesave, themelimi i Byrosë s’ka alternativë.

“…ne jemi të bindur që themelimi i Byrosë dhe verifikimi i pasurisë dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nuk ka alternativë, pavarësisht vonesave që po krijon procedimi dhe trajtimi nga Gjykata Kushtetuese”, shton deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Janë adresuar tri rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe se po presin që Kushtetuesja të mundësojë zbatimin e këtij ligji”, kishte deklaruar Rrustemi.

Por frikë se edhe ky ligj do t’i rrëzohet, kishte shprehur kryeministri Albin Kurti, disa javë pasi ligji kishte përfunduar në Kushtetuese.

“Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me gjithë akterët e shoqërisë civile, dhe nuk mjafton Komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën tonë Kushtetuese”, kishte deklaruar Kurti. 

(Kosova Sot Online )