Liderët e BE-së nisin një fushatë ndaj Melonit: S’ka Europë pa Itali

  • A.P /
  • 27 June 2024 - 17:28
 Liderët e BE-së nisin një fushatë ndaj Melonit: S’ka Europë pa Itali

Udhëheqësit e qendrës së djathtë të BE-së që mbërrijnë në Bruksel kanë filluar një ofensivë sharmi për të qetësuar kryeministren euroskeptike të Italisë Giorgia Meloni, e cila u përjashtua nga një marrëveshje për postet kryesore të BE-së midis partive pro-europiane.

Përpara samitit, liderët e BE-së nga gjashtë vende që përfaqësojnë tre grupet politike pro-europiane ranë dakord të emërojnë Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian dhe të ndajnë dy poste të tjera kyçe midis socialistëve dhe grupit të qendrës Renew, shkruan The Guardian.

Kryeministri polak Donald Tusk, një negociator kryesor për Partinë Popullore Europiane të qendrës së djathtë, tha se “askush nuk e respekton kryeministren, Giorgia Meloni dhe Italinë më shumë se unë”.

Ai tha se pakënaqësia e saj bazohej në një keqkuptim, duke shtuar: “Ndonjëherë na duhen platforma specifike politike për të lehtësuar procesin”.

“Nuk ka Europë pa Italinë dhe nuk ka vendim pa kryeministren Meloni. Një vendim i Këshillit Europian për emërimin e presidentes së re të Komisionit Europian nuk kërkon unanimitet, por do të shihej si një pengesë nëse një shtet i madh anëtar themelues si Italia do ta kundërshtonte propozimin”.

Kyriakos Mitsotakis, kryeministri grek dhe kolegu i negociatave të PPE-së, dha një deklaratë të ngjashme, duke thënë se ai ishte “arsyeshëm optimist” për një marrëveshje mbi postet kryesore gjatë Këshillit Europian në vazhdim.

“Ky propozim është një propozim që pasqyron shumicën dërrmuese të anëtarëve të Këshillit. Nuk kemi pasur asnjëherë qëllim që as të përjashtojmë askënd dhe as të ofendojmë dikë”.

Meloni ka dalë kundër kësaj marrëveshje duke thënë se ajo injoron “zhvendosjen djathtas” të bllokut pas zgjedhjeve.

Në një fjalim në parlamentin italian, Meloni e zemëruar tha se marrëveshja për postet kryesore pasqyronte një pikëpamje se “qytetarët nuk janë mjaft të pjekur për të marrë vendime të caktuara” dhe ishte marrë nga ata që besojnë se “oligarkia është në thelb forma e vetme e pranueshme e demokracisë”.

Gjashtë liderë europianë, duke përfshirë Emmanuel Macron të Francës, Olaf Scholz të Gjermanisë dhe Donald Tusk të Polonisë, konfirmuan të martën një plan për të emëruar politikanen e qendrës së djathtë Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Europian dhe ndarjen e dy posteve të tjera kyçe mes socialistëve dhe liberalëve.

(Kosova Sot Online)