LDK: Demokracia s’guxon të rrezikohet nga qeveria populiste

  • A.P /
  • 27 June 2024 - 17:56
LDK: Demokracia s’guxon të rrezikohet nga qeveria populiste

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, transmeton  gazeta "Kosova Sot Online".

Më 20 tetor 2023 deputetët e LDK-së depozituan rastin në Gjykatën Kushtetuese “duke argumentuar dhe faktuar të gjitha shkeljet kushtetuese të këtij Ligji”.

“Vendimi i sotëm përveç se konfirmim i shkeljeve të rënda në një ligj jetik mbi pavarësinë e administratës shtetërore dhe shërbyesve civil, është dhe konfirmim i një praktike tashmë fenomen të shkeljeve kushtetuese nga Qeveria e Kosovës. LDK-ja siguron qytetarët e vendit se si themeluese dhe bartëse e Republikës, do të vazhdojë të jetë gardiane e Kushtetutës së Republikës”.

LDK e ka quajtur Qeverinë Kurti “populiste e me tendenca autokratike”.


“Demokracia jonë shtetare nuk guxon të rrezikohet nga asnjë qeveri, aq më pak nga një qeveri populiste e me tendenca autokratike si kjo e tanishme, e cila për tri vite ka bërë tashmë plot 10 shkelje kushtetuese”.

Pas ankesës së deputetëve të LDK-së dhe PDK-së në Gjykatë Kushtetuese për ndryshimet që Qeveria Kurti i ka bërë në Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Gjykata ka gjetur se nenet 2,7 dhe 8 të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)