
Debati Biden-Trump: Pesë momentet kyçe

Joe Biden dhe Donald Trump u përplasën gjatë një debati të parë të shëmtuar dhe inkoherent të fushatës zgjedhore të vitit 2024 në SHBA. Zoti Biden u përpoq vazhdimisht të artikulohej gjatë 90 minutave, duke ngatërruar përgjigjet e tij teksa u tall nga rivali i tij republikan. Trump gjithashtu nuk arriti të gjente pika kyçe në një performancë të mbushur me gjysmë të vërteta. Herë pas here, debati u shndërrua në farsë, me dyshen që grindej rreth aftësisë së tyre të golfit dhe që silleshin si "fëmijë", siç e thanë edhe vetë.
Këtu janë momentet kyçe nga ngjarja.
Gafa e parë
Momenti më i keq i zotit Biden në debat ishte një përgjigje në lidhje me borxhin kombëtar, në të cilën ai vazhdimisht belbëzoi para se të ndalonte fare. Ai ngatërroi dy herë milionat dhe miliardat, ngatërroi një normë tatimore prej 24 dhe 25 për qind, më pas e humbi plotësisht dhe ia nguli sytë shënimeve të tij.
"Ne mposhtëm Medicare..." tha ai në fund, para se të ndërpritej menjëherë nga një moderator.
Trump u tregua më i zhdërvjellët dhe ndërhyri menjëherë pas gafës së demokratit. "Ai e mposhti Medicare. E rrahu për vdekje", tha ai.
"Nuk e di çfarë tha tani"
Ndërsa zoti Biden po fliste për sigurinë kufitare, Trump vazhdoi sulmin.
"Nuk e di çfarë tha ai në fund të asaj fjalie," komentoi ish-presidenti. "Nuk mendoj se ai e di çfarë tha."
Sondazhet tregojnë se siguria kufitare është një nga çështjet kryesore për amerikanët dhe paaftësia e zotit Biden për të dhënë një përgjigje koherente mund t'i kthehet në bumerang.
"Humbësit dhe idiotët"
Zoti Biden u shfaq i zemëruar teksa sulmoi Trump-in se gjoja i është referuar pjesëtarëve të ushtrisë si "humbës" dhe "idiotë".
Duke iu referuar djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, ai bërtiti teksa i tha republikanit: "Djali im nuk ishte humbës, nuk ishte idiot. Ti je humbësi. Ti je idioti."
Trump mohoi se ai e kishte përçmuar pjesëtarët e ushtrisë, duke e quajtur këtë gjë një "citim të sajuar".
"Të bësh seks me një yll porno"
Zoti Biden pritej t'i referohej dënimit të Donald Trump-it, por ishte tronditëse që ai e bëri këtë në fjalë kaq të forta.
Pasi vuri në dukje se Trump kishte "miliona dollarë" borxh nga çështjet civile të dështuara, ai iu drejtua çështjes së tij të "blerjes së heshtjes" në Nju Jork, duke e akuzuar atë se "kishte bërë seks me një yll porno... ndërsa gruaja juaj ishte shtatzënë".
Zoti Biden po i referohej lidhjes së supozuar të Trump-it me Stormy Daniels, yllin e filmit për të rritur, të cilën ai pretendohet se eka paguar 130,000 dollarë gjatë fushatës së tij të vitit 2016 për ta fshehur.
Duke folur pa doreza, ai tha se republikani kishte "moralin e një mace rruge".
"Unë nuk kam bërë seks me një yll porno," u përgjigj Trump, duke nxitur të qeshura në prapaskenë në sallën e mediave.
Filluan të debatonin për golfin
Zoti Biden dhe Trump u pyetën të dy se si do ta trajtonin zyrën e presidencës duke pasur parasysh shqetësimet për moshat e tyre.
Duke u dhënë një shans për të siguruar publikun, dyshja – të cilët janë kandidatët më të vjetër që kandidojnë për postin dhe kanë një moshë totale prej 159 vjetësh – në vend të kësaj filluan të debatojnë për golfin.
Trump tha se Biden "nuk mund të godasë një top 40 metra", duke e shtyrë demokratin të thotë se ai kishte një handikap prej gjashtë pikësh gjatë kohës së tij si zëvendëspresident.Trump e etiketoi këtë si "gënjeshtra më e madhe", duke nxitur më shumë grindje mes dy kandidatëve.
"Le të mos sillemi si fëmijë," tha më në fund republikani. "Ti je një fëmijë," u përgjigj Biden-i./The Telegraph
(Kosova Sot Online)