Ky shtet ndalon veshjen e një fustani të bardhë nusërie

  • A.P /
  • 28 June 2024 - 14:11
Ky shtet ndalon veshjen e një fustani të bardhë nusërie

Koreja e Veriut po godet çdo detaj që reflekton botën jashtë tyre, duke filluar nga muzika, ushqimet e deri te  fustanet e nusërisë. Raporti i lëshuar nga Ministria e Unifikimit të Koresë së Jugut, bazuar në dëshminë e qindra dezertorëve, tregon rastin e një 22-vjeçari, i cili u ekzekutua pasi pranoi se kishte dëgjuar muzikë të Koresë së Jugut dhe kishte shpërndarë filma. Mirëpo Koreja e Veriut e përshkroi raportin e vitit të kaluar si “shpifje dhe trillim”, por ende nuk i është përgjigjur dokumentit të ri, transmeton  gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas të dhënave, kontrollet nëpër shtëpi janë shtuar që nga viti 2021 dhe zyrtarët janë gjithmonë në kërkim të shenjave nga kulturat e jashtme. Këto shenja përfshijnë edhe veshjen e një fustani të bardhë nusërie ose veshjen tipike të dhëndrit, e madje edhe marrja në krah e nuses. Nuset mund të veshin vetëm fustane tradicionale nga Koreja e Veriut.

Syzet e diellit janë konsideruar gjithashtu antirevolucionare, pavarësisht se lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un i vendos gjithmonë një palë të tilla. Se cili është saktësisht dënimi për këto shkelje është e paqartë. Megjithatë, goditja ndaj kulturës së krijuar nga perëndimi, por kryesisht nga Koreja e Jugut duket më e ashpër. Një ligj i vitit 2020 e bëri të dënueshme me vdekje shpërndarjen e videove të Koresë së Jugut. Raporti i këtij viti, përfshin rrëfimin e një ekzekutimi, ku një fermer 22-vjeçar u vra, pasi kishte dëgjuar 70 këngë dhe kishte parë tre filma.

(Kosova Sot Online)