“Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më”, politika shqiptare i jep lamtumirën shkrimtarit të madh Ismail Kadare

  • S.A /
  • 01 July 2024 - 12:14
“Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më”, politika shqiptare i jep lamtumirën shkrimtarit të madh Ismail Kadare

Politika shqiptare i ka dhënë lamtumirën shkrimtarit të madh Ismali Kadare, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, 1 korrik 2024.  Kreu i qeverisë Edi Rama e quan shrkimtarin Kadare monument të kulturës shqiptare, i cili tanimë është ngjitur në piedestalin e përjetësisë, transmeton "Kosova sot Online".

Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

“Mendimin tuaj,

që ëndërron në trurin e butë,

si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”

Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më.”

Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm, 1 korrik 2024″, shkruan Rama.

Ndarja nga jeta e Kadaresë është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar, shkruan Lulzim Basha.

“Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar.  Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.

Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët mikun e tyre të pazëvendësueshëm. Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar! Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!“, shkruan Basha.

Kreu i PL-së, Ilir Meta, shkruan se Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese për një nga periudhat më të errëta të vendit.

“Meta: “Kombi shqiptar humbi sot gjeniun e madh të letrave dhe shprehësin më të jashtëzakonshëm të fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës tonë krijuese, që si askush tjetër u dha atyre përmasa botërore, duke na bërë krenarë të gjithëve. Ismail Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese në një nga periudhat më të errëta të vendit, zëri universal kundër totalitarizmit, një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, që me kryeveprat letrare të lëna trashëgim do t’i jemi mirënjohës përjetë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së dashur Kadare, komunitetit të shkrimtarëve e publicistëve dhe mbarë kombit shqiptar për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme!“, shton Meta.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shkruan se Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërsisë.

“Nikolla: “Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe. Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror.“, shkruan ajo.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj nënvizon se Kadare la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.

Veliaj: Shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare – një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore. Kadareja la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante. Ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe. Pusho në paqe, i dashur Ismail.

(Kosova Sot Online )