Auditori gjen parregullsi në tenderë të Ministrisë së Arsimit

  • 01 July 2024 - 12:33
Auditori gjen parregullsi në tenderë të Ministrisë së Arsimit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa parregullsi në Ministrinë e Arsimit, në veçanti për proceset e vlerësimit të tenderëve. Sipas Auditorit, në aktivitetin e prokurimit “Projektimi i çerdhes tipike të parafabrikuar për 80 fëmijë’’, vlerësimi i ofertave ishte kryer me 16 ditë vonesë përtej afateve ligjore duke i marrë për bazë edhe afatet shtesë, transmeton "Kosova Sot Online".

“Procesi i hapjes së ofertave u zhvillua më 17.07.2023, ndërsa vlerësimi u përfundua me 21.09.2023”, thuhet në Raportin e Auditimit për Pasqayrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2023.

Po ashtu në dosjen e tenderit “Furnizimin me lëndë të parë dhe paisje të profilit të floktarisë, estetikës për kryerjen e praktikës profesionale”, te kapacitetet teknike dhe profesionale është kërkuar që operatorët ekonomik pjesëmarrës të kenë kontrata për furnizime të ngjashme, në tri vitet e shkuara.

“Nga lista e kontratave të realizuara që kishte ofruar operatori fitues vërehet që furnizimet nuk e kishin natyrën e ngjashme (aktivitet kryesor kishin botimin dhe shtypjen e materialeve). Komisioni i vlerësimit nuk e kishte parandaluar këtë mangësi dhe këtë kriter e kishte konsideruar si të përmbushur. Kontrata ishte lidhur me datë 09.08.2023 në vlerë 117,000 euro”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së shkaku kryesor i këtyre mangësive ishte mosfunksionimi i kontrolleve të brendshme dhe mungesa e kujdesit të duhur gjatë procesit të vlerësimit dhe dhënies së kontratës.

Ndikimi vonesat në vlerësim të tenderëve përveç anashkalimit të rregullave kanë ndikuar edhe në vonesat në lidhje të kontratave e rrjedhimisht në shtyrjen e furnizimeve dhe marrjen e shërbimeve.

“Po ashtu, vlerësimi jo në përputhje të plotë me kriteret në dosje mund të rezultojë në zgjedhjen e ofertuesve të cilët më pas mund të mos jenë në gjendje të përmbushin detyrimet e kontratës në kohën e duhur dhe me cilësinë e pritur”, thuhet më tej në raport.

Në rekomandimin e ZKA-së thuhet se ‘Ministrja duhet të sigurojë një monitorim efektiv përmes menaxherit të prokurimit se vlerësimi i ofertave përfundohet brenda afateve të përcaktuara duke mundësuar që furnizimet të merren në kohën e paraparë. Po ashtu, vlerësimet e ofertave duhet që të realizohen në përputhje të plotë me kriteret për kapacitetet teknike dhe profesionale të kërkuara në dosjen e tenderit”.

Ky raport ka rezultuar me nëntë rekomandime, prej tyre pesë janë rekomandime të reja, tri të përsëritura dhe një pjesërisht të përsëritur.

(Kosova Sot Online )