Zbardhen detaje: Ja si e ndihmoi nëna nga ky vend i Kosovës vajzën e saj në vrasjen e foshnjës

  • A.P /
  • 01 July 2024 - 14:24
Zbardhen detaje: Ja si e ndihmoi nëna nga ky vend i Kosovës vajzën e saj në vrasjen e foshnjës

Raportohet se një ngjarje e trishtë ka ndodhur në Podujevë, ku dy gra janë arrestuar nën dyshimet se janë përfshirë në vrasje të një foshnje gjatë lindjes, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gruaja shtatzënë është njëra nga të arrestuarat e cila dyshohet se ka kryer abort të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas raportimit të sinjalit dy të arrestuarat janë nënë e bijë, të cilat po dyshohen se janë përfshirë në këtë rast tronditës.

Bëhet me dije se vajza 19-vjeçare në bashkëkryerje me nënën e saj, pasi e ka lindur foshnjën në banjon e shtëpisë derisa ka qenë rreth 7-muajshe – dyshohen se e kanë hedhur në tualet.

Për rastin kanë folur edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe nga Policia.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

“Raportohet se në QKUK ka kërkuar tretman mjekësor e dyshuara femër kosovare e cila dyshohet se ka qenë shtatëzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje” – njoftoi Policia.

Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nëna që privon nga jeta foshnjën e vet gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes, derisa te ajo vazhdon çrregullimi i shkaktuar nga lindja, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tri vjet.

(Kosova Sot Online)