Ngritet aktakuzë ndaj 9 personave të dyshuar për vrasje

  • A.P /
  • 01 July 2024 - 17:41
Ngritet aktakuzë ndaj 9 personave të dyshuar për vrasje

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër nëntë të pandehurve në lidhje me rastin e vrasjes së rëndë të ndodhur më datë 31 gusht 2023, në fshatin Balincë të Malishevës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se “dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Xh.G., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkohë për të pandehurit Xh.G., F.G., K.G., A.G., dhe N.G., ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.

Për të pandehurin K.G., thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të pandehurin A.G., thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Tutje për të pandehurin N.G., thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa për të pandehurit L.K., D.K., Q.K., dhe A.M., ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

(Kosova Sot Online)