Petkoviq i përgjigjet Bislimit: Prishtina po e vret dialogun

  • G.G /
  • 03 July 2024 - 12:58
Petkoviq i përgjigjet Bislimit: Prishtina po e vret dialogun

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka akuzuar palën kosovare se “po e vret dialogun” pas takimeve të djeshme që u mbajtën dje në Bruksel në nivel kryenegociatorësh.

Sipas tij, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka kritikuar disa marrëveshjes dhe se ka hedhur poshtë draftin e BE-së për dialogun.

“Bislimi dje në Bruksel: refuzoi të diskutonte për personat e zhdukur, e quajti Marrëveshjen për Vizitat Zyrtare inekzistente, e kritikoi Elektroseverin si jonormal, hodhi poshtë draft-statutin e BE-së për Asociacionin, të gjitha para Lajçakut dhe ekipit të tij. Prishtina po e vret dialogun!”, ka shkruar sot Petkoviq.

Megjithatë, Bislimi dje tha se Serbia refuzon të pranojë Marrëveshjen Bazike në tërësi dhe nuk pranon të zbatojë pjesë të saj.

“Pala serbe refuzoi të përfshihet në diskutim për dakordimin e planit të sekuencimit si dhe në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar. Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish që pala serbe është duke e sabotuar procesin, duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim të bllokimit të procesit”, u tha në njoftimin e djeshëm të Zyrës së Kryeministrit.

(Kosova Sot Online)