Zyra e Kosovës në Beograd reagon pasi Daçiq njoftoi arrestimin e kosovarit
Sekretari i Zyrës së Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka reaguar pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar se policia serbe ka arrestuar kosovarin me iniciale F.K me pretendimet se “ka kryer krime” në Koshare kundër ushtrisë jugosllave, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Haxholli ka thënë se është për keqardhje që Serbia një vend që ka kryer luftë e gjenocid, nuk i ndalon arrestimet.
“Po sipas njoftimit të tillë të ndarë me mua nga njerëz vullnetmirë, Ivica Daçiq, i ka njoftuar mediat sot për ndalimin e një qytetari me iniciale F.K i lindur më 1968, dhe kjo sipas njoftimit gjoja duke e ngarkuar për ngjarje gjatë periudhës maj të vitit 1999, në luftën e lavdishme të UÇK-së në Koshare”, ka shkruar Haxholli.
Ai tutje thotë se forcat serbe janë të vetmet që kanë kryer krime në Kosovë dhe shton se në Koshare ushtria serbe ka pësuar fiasko.
“Të vetmit që kanë bërë krime në Kosovë, Koshare, ku forcat miltare dhe paramilitare pësuan fiasko, janë forcat serbe, dhe nëse dikush duhet ndjekur për krime lufte në Kosovë dhe Koshare, ai do të duhej të jetë pjesëtarë i atyre forcave.Daçiqe edhe pas 30 vitesh mund të mbijetoj në politikën serbe edhe me këto mësymje, por Kosova ka fituar përjetësisht në luftë dhe në paqe kundër Sebisë. Lavdi UÇK-së,
Lavdi Heroit Agim Ramadni dhe të gjithë të rënëve në Koshare,Lavdi të gjithë atyre që luftuan kundër forcave serbe në Koshare dhe në të katër anët e Kosovës”, ka përfunduar Haxholli.
(Kosova Sot Online)