Vjosa Osmani ka pritur në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë

  • A.P /
  • 04 July 2024 - 17:48
Vjosa Osmani ka pritur në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë, Veronika Vashchenko, të cilën e ka përgëzuar për detyrën, duke uruar për vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në takim është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe rëndësinë e përpjekjeve për ta përmirësuar mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve në Kosovë, njofton Presidenca.

Osmani potencoi se partneriteti me UNICEF-in është i rëndësishëm për zbatimin e programeve dhe politikave që mbështesin zhvillimin dhe mbrojtjen gjithëpërfshirëse të fëmijëve.

Në këtë kontekst, Osmani vuri në dukje përpjekjet për qasjen e fëmijëve në arsim cilësor dhe fuqizimin e mirëqenies së tyre.

“Gjatë takimit, në veçanti u diskutua për projekte në përkrahje të edukimit të hershëm të fëmijëve, mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta si dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e fëmijëve. Presidentja Osmani, ndër të tjera, në këtë takim shtroi nevojën e zbatimit të programeve të fokusuara tek fëmijët dhe promovimi i barazisë gjinore në të gjithë sektorët”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)