Orban: Nuk jam në pozitë për të ndërmjetësuar mes Ukrainës dhe Rusisë

  • A.P /
  • 05 July 2024 - 15:05
Orban: Nuk jam në pozitë për të ndërmjetësuar mes Ukrainës dhe Rusisë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha të premten se nuk është në pozitë për të udhëhequr bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë. Ai i bëri këto komente para se të mbërrinte në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.

Orbani është kritik i ndihmës së Perëndimit për Ukrainën në luftë kundër pushtuesit rus, dhe ka marrëdhënie më të mira me Putinin se çdo lider evropian.

Ai tha se fakti se Hungaria mban kryesimin e BE-së tani, nuk i jep atij mandat të udhëheqë negociata në emër të bllokut.

“Unë nuk kam nevojë për një mandat, sepse unë nuk përfaqësoj asgjë”, tha Orban gjatë një interviste të rregullt mëngjesore në radio të premten.

Orban mbërriti në Moskë më vonë dhe do të takohet me Putinin, konfirmoi zëdhënësi i tij Bertalan Havasi për mediumin shtetëror hungarez, MTI.

“Krejt çka bëj unë është, shkoj nëpër vende ku ka luftë, apo kërcënim për luftë që kërcënon Bashkimin Evropian dhe Hungarinë, apo që ka pasoja të këqija për to, dhe bëj pyetje”, shtoi ai.

Një ditë para vizitës së Orbanit në Moskë, Charles Michel, president i Këshillit Evropian, shkroi në X se “udhëheqja me rotacion e presidencës së BE-së nuk ka mandat që të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së”.

“Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk ka diskutime për Ukrainën, pa Ukrainën”, tha Michel.

Në fillim të kësaj jave, Orbani u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Kiev, ku i bëri thirrje atij ta shqyrtojë një marrëveshje për armëpushim për t’i dhënë fund më shpejt luftës me Rusinë.

Të premten, Orbani tha se i bëri Zelenskyt “tri prej katër pyetjeve të rëndësishëm” për të kuptuar se “sa larg është Kievi në gjendje të shkojë për paqen”.

Orbani e vizitoi Rusinë më 2022, por s’u takua me Putinin. Megjithatë, ata janë takuar në vende të tjera prej atëherë.

(Kosova Sot Online)