Banorët e Frankfurtit që çregjistrojnë veturën e tyre përfitojnë një vit transport publik falas në Gjermani

  • E.k /
  • 06 July 2024 - 15:28
Banorët e Frankfurtit që çregjistrojnë veturën e tyre përfitojnë një vit transport publik falas në Gjermani

Frankfurt ka vendosur të motivojë banorët e tij që të heqin qafe veturat me motorë me djegie të brendshme. Kushdo që e bën këtë, administrata e qytetit do t’i japë një bonus me vlerë 588 euro.

Vendimi, i cili ka hyrë në fuqi të hënën, megjithatë nuk parashikon pagesën e shumës në para. Personi i autorizuar e merr atë në formën e dymbëdhjetë biletave mujore për të gjithë transportin publik urban dhe rajonal në të gjithë Gjermaninë, të ashtuquajturat Deutschland-Ticket, njëra prej të cilave kushton 49 euro.

“Mirupafshim veturë, përshëndetje Deutschland-Ticket” është slogani i ngjarjes së mbrojtur nga këshilltari i trafikut në Frankfurt, Wolfgang Siefert i Partisë së Gjelbër. Ai merr pjesë në administratën e qytetit në një koalicion me Social Demokratët (SPD) dhe Liberalët (FDP).

“Për të lehtësuar kalimin nga automjeti në mjete transporti miqësore me mjedisin, Frankfurt do të shpërblejë të gjithë ata që çregjistrojnë automobilin e tyre. Kjo do të kontribuojë ndjeshëm në ndryshimet klimatike”, tha Siefert, raporton Bild.

Frankfurt am Main, me pothuajse 800 mijë banorë dhe 350 mijë vetura të regjistruara, u bë qyteti i parë i madh në Republikën Federale që motivoi banorët për të hequr dorë prej veturës së tyre. Siefert pret 50 deri në 60 kërkesa në muaj. Për projektin deri më tani janë ndarë gjysmë milioni euro nga buxheti i qytetit.

Dhënia e bonusit ka kushtet e veta: kandidati duhet të jetë së paku 18 vjeç, automjeti i tij duhet të çregjistrohet, shitet ose dhurohet në tre muajt e fundit dhe marrësi i bonusit nuk duhet të ketë asnjë veturë tjetër të regjistruar në emrin e tij.

Aplikanti duhet së pari të paraqesë një ekstrakt nga regjistri i mjeteve motorike që nuk i zotëron më. Ata më pas plotësojnë formularin e porosisë për lëshimin e një bilete Duetschland, pas së cilës ata marrin falas kartën e çipit përkatës.

(Kosova Sot Online)