Osmani niset për në Washington D.C. për aktivitetin në kuadër të Samitit të NATO-s, hera e parë që përfshihet Kosova
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Washington D.C. me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake, njoftoi Presidenca, përcjell “Kosova Sot Online”.
Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, Presidenca thotë se “Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s”.
“Kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
“Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja”, thuhet në komunikatë.
“Kujtojmë se Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Samiti i NATO-s në Washington D.C., shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt”, thuhet në komunikatë.
(Kosova Sot Online)