Detaje: Bahtjari e kërcënoi një dëshmitar me vrasjen e djalit nëse do të shkonte në Gjykatën Speciale

  • A.P /
  • 08 July 2024 - 16:56
Detaje: Bahtjari e kërcënoi një dëshmitar me vrasjen e djalit nëse do të shkonte në Gjykatën Speciale

Është publikuar një version i redaktuar i aktakuzës së përbashkët ndaj Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, të cilët ngarkohen për pengim të administrimit të drejtësisë dhe pengim të personave zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se Bahtjari e kishte kërcënuar dëshmitarin 1 me vrasjen e tij dhe të birit në rast se do të shkonte në Gjykatën Speciale për të dëshmuar.

“Kur Dëshmitari 1 pyeti nëse ai ose djali i tij do të vriteshin nëse Dëshmitari 1 do të dëshmonte, Bahtiri iu përgjigj pozitivisht”, thuhet në pikën e dhjetë të aktakuzës,

Shala, Januzi dhe Bahtjari akuzohen se mes 5 dhe 12 prillit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë i janë afruar dëshmitarit 1. Me udhëzimet e Shalës, aktakuza thotë se Januzi dhe Bahtjari janë takuar individualisht me dëshmitarin 1 që ta nxisnin që ta tërhiqte dëshminë e tij ose të mos jepte dëshmi në Speciale.

“Kjo sjellje tregon qëllimin e SHALA-s, JANUZI-t dhe BAHTIJARI-t për të minuar dhe penguar një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në aktakuzë.

Më 5 prill, sipas aktakuzës, Shala dhe Bahtjari e telefonuan Januzin dhe pas konfirmimit se dëshmitari ishte në shtëpi, Bahtjari shkoi atje, duke i kërkuar që ta tërhiqte dëshminë.

“BAHTIJARI i tha Dëshmitarit 1 që SHALA së fundmi kishte kontaktuar me të dhe e kishte dërguar për t’i thënë Dëshmitarit 1 që ai duhet të tërhiqte dëshminë e tij. Kur Dëshmitari 1 pyeti nëse ai ose djali i tij do të vriteshin nëse ai dëshmonte, BAHTIJARI iu përgjigj pozitivisht. BAHTIJARI u largua nga shtëpia e Dëshmitarit 1 dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në vendin e shoferit. Si rezultat i këtij afrim, Dëshmitari 1 u shqetësua për sigurinë e familjes së tij”, thuhet tutje në aktakuzë.

Më pas, ZPS thotë se të tre kryen “shumë kontakte me mesazhe dhe telefonata”.

“Më vonë më 5 Prill 2023, pas vizitës së BAHTIJARI-t te Dëshmitari 1, SHALA dhe JANUZI, dhe veçmas JANUZI dhe BAHTIJARI, kryen shumë kontakte me mesazhe dhe telefonata, përfshirë kontakte ndërmjet SHALA-s dhe JANUZI-t për të koordinuar një takim personal atë mbrëmje. Në ditët që pasuan, SHALA dhe JANUZI, ndër të tjerë, mbetën në kontakt, përfshirë lidhjet telefonike të paktën katër herë ndërmjet 6 dhe 9 Prillit 2023”, thuhet në aktakuzë.

Kontakti i dytë me dëshmitarin kishte ndodhur më 12 prill, sipas ZPS-së, kur pas një telefonate me Shalën, Januzi thuhet se kishte shkuar në shtëpinë e dëshmitarit e se ky i fundit i kishte kërkuar 200 mijë euro për ta tërhequr dëshminë.

“Në shtëpinë e Dëshmitarit 1, JANUZI i tha Dëshmitarit 1 që SHALA kishte kërkuar nga JANUZI të ndjekë vizitën e mëparshme të BAHTIJARI-t dhe të zbulojë çfarë planifikonte të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të zgjidhej çështja e dëshmisë së tij. Konkretisht, JANUZI i tha Dëshmitarit 1 që SHALA kishte kërkuar nga JANUZI të përcillte mesazhin që nëse Dëshmitari 1 tërhiqte dëshminë e tij, atëherë SHALA dhe të tjerë të panjohur do t’i ofronin ‘ndihmë.’ Dëshmitari 1 u përgjigj që nëse SHALA dhe/ose të tjerët i sillnin atij 200,000 euro, do të kishte marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi ose mohoi të ishte dëshmitar. JANUZI tha që do t’i tregonte ‘atyre’ çfarë kishte thënë Dëshmitari 1.”, thuhet në aktakuzë. Pas kësaj vizite, ZPS thotë se Januzi e kishte telefonuar sërish Shalën.

Sipas ZPS-së, Shala, Januzi dhe Bahtjari janë individualisht përgjegjës për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.


(Kosova Sot Online)