A mund të jetë Orban ndërmjetës në luftën në Ukrainë?
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se kryeministri hungarez Viktor Orban nuk mund të ndërmjetësojë mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës 28-mujore, një detyrë që ai tha se mund të ndërmerret vetëm nga fuqitë botërore si SHBA, BE ose Kina, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Orban vizitoi Kievin dhe Moskën për bisedime javën e kaluar dhe takoi presidentin kinez Xi Jinping të hënën, duke e përshkruar udhëtimin e tij të papritur në Pekin si fazën e tretë të një “misioni paqeje”.
Ndërsa liderët botërorë përgatiten të shkojnë në një samit të NATO-s që fillon të martën në Uashington, Zelensky tha se vetëm ekonomitë e fuqishme ose vendet me forca të armatosura shumë më të forta se ato të Rusisë, mund të menaxhojnë detyrën e ndërmjetësimit.
“A ka shumë vende të tilla në mbarë botën? Jo shumë. Unë besoj se SHBA-të dhe Kina janë vende të tilla. Dhe BE-ja, jo një vend, por e gjithë BE-ja. Ky mund të jetë vërtet një mision ndërmjetës”, tha Zelensky në një konferencë gjatë një vizite në Poloninë fqinje.
Zelensky tha se negociatat e Orbanit me Putinin, të cilat provokuan një qortim brenda Bashkimit Evropian, nuk ishin koordinuar me Kievin.
“Edhe nëse (Putini) takohet me një shtet të caktuar, kjo nuk do të thotë se ai dëshiron t’i japë fund luftës”, tha ai.
“Kievi mbetet i hapur ndaj propozimeve nga vendet e tjera se si të formësohet rruga drejt paqes, por ato duhet të përputhen me vizionin ukrainas, në veçanti një plan paqeje prej 10 pikash”, shtoi Zelensky.
(Kosova Sot Online)