Kurti del me deklaratë

  • A.P /
  • 08 July 2024 - 20:44
Kurti del me deklaratë

Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar drejtësi për Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, tre vëllezërit që e kishin lënë SHBA-në për të luftuar në Kosovë, në përvjetorin e vrasjes së tyre. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller ka shkruar se “sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë”. Tha se i bëjnë thirrje Serbisë që ta kryejë hetimin për këtë rast dhe t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë, transmeton "Kosova Sot Online".

“25 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u vranë në paraburgimin e policisë serbe. Sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë. Ne i bëjmë thirrje Serbisë sërish që ta përfundojë hetimin e saj dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e tyre”, ka shkruar Miller.

Për këtë deklaratë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë në “X” se askush nuk është mbajtur përgjegjës për atë krim të kryer.

“Trupat e tre vëllezërve të rinj shqiptarë të Kosovës, të cilët ishin gjithashtu shtetas amerikanë, u gjetën në një varr masiv pak pas luftës. Agron, Mehmet dhe Yll u vranë në paraburgimin e policisë serbe, me plumba në kokë ndërsa duart u ishin lidhur. Megjithatë, askush nuk është mbajtur përgjegjës. Epoka e mosndëshkimit për krimet e rënda nga Serbia duhet të marrë fund”, ka shkruar Kurti të hënën.

(Kosova Sot Online)