Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë Papa Klementi XI Albani në Suedi nderon jetën dhe vepren e të madhit Ismail Kadare

  • S.A /
  • 08 July 2024 - 23:36
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë Papa Klementi XI Albani në Suedi nderon jetën dhe vepren e të madhit Ismail Kadare

 

Me rastin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, me renome ndërkombëtare,  Ismail Kadare, një letër ngushëllimi me vlerësime dhe kujtime për jetën dhe veprën e tijë të përjetshme, i ka adresuar familjes edhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë Papa Klementi XI Albani në Suedi, përmes kryetares Saranda Iseni. “Pak ditë më parë pushoi së rrahuri zemra e intelektualit, personalitetit dhe shkrimtarit shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare. Të madhin Kadare pata fatin ta takoj një herë të vetme me plot madhështi në Tiranë. Nëse nuk gaboj ka qenë tek kafeneja e tij e preferuar Juvenilja. Ishte nje takim i dëshiruar dhe historik i përmbushur me bisedime shumëngjyrëshe pa lënë anash pjesën gazmore dhe mesazhe të arta ardhmërie sidomos ai i fundit para përfundimit të takimit që zgjati për disa orë, si një titull romani, thuhet në letrën e zonjës Iseni.

“Më kujtohet shumë mirË momenti kur Kadare i thotë kolegut të tij të anulloj të gjitha takimet tjera për të vazhduar me zonjën provokuese´siç ai aq më quante pasi që unë me këmbëngulje dhe kuriozitet i bëja shumë pyetje, e në veçanti për temën e dashurisë. Si mund të rrija pa I bërë pyetje kur para vetes kisha një oqean të pafund të dijes?”, shkruan në letrën e saj Saranda Iseni. Ajo shton se i madh ishte ai personalitet kombëtar dhe është e bindur se për çdo ditë do të lartësohet krijimtaria e tij në botën shqiptare si vlerë e madhe kulturore por edhe në letërsinë botërore si nobelist i merituar edhe pse nuk u nderua me atë çmim kur ai ishte gjallë dhe pranë nesh. “Në fakt përzgjedhja e Kadares si nobelist do të ishte nder për vet Akademin e Alfred Nobelit sepse Kadare ishte dhe do të mbetet nobelisti margaritar i letërsisë dhe kombit shqiptarë. Ngushëllime bashkëshortes, familjarëve dhe të gjithë shqiptarëve. I ndriçoftë shpirti! U prehtë në paqe mjeshtri i pendës”, thuhet në fund të letrës përkujtimore për të madhin Kadare nga Saranda Iseni, Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë Papa Klementi XI Albani në Suedi.

(Kosova Sot Online )