Nis ndërtimi i shkollës në lagjen “Kalabria”, Rama: Kjo do të reduktojë dukshëm komunikacionin në kryeqytet

  • E.k /
  • 09 July 2024 - 11:48
Nis ndërtimi i shkollës në lagjen “Kalabria”, Rama: Kjo do të reduktojë dukshëm komunikacionin në kryeqytet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sot ka nisur ndërtimi i shkollës në lagjen “Kalabria”, për të cilën ka thënë se do të ofrojë kushte të nivelit evropian për arsimtarët dhe fëmijët, përcjell “Kosova Sot Online”.

Rama ka shkruar se me përfundimin e kësaj shkolle, rreth 1000 fëmijë të Lagjes Kalabria nuk do të humbin kohë në udhëtim në shkolla të lagjeve tjera dhe telashet e prindërve për t’i bartur fëmijet e tyre do të marrin fund dhe se kjo do të reduktojë dukshëm komunikacionin në kryeqytet.

Postimi i plotë:

Po vazhdojmë me punë të mira për Lagjen Kalabria.

Sot nisëm ndërtimin e shkollës moderne me mbi 6500 metra katror. Kjo shkollë do të ofrojë kushte të nivelit evropian për arsimtarët dhe fëmijët tanë të dashur.

Klasa mësimore, laboratore të shumta, sallë të edukatës fizike e pajisje digjitale që do të bëjnë fëmijët tanë të arsimohen ashtu siç e meritojnë. Me përfundimin e kësaj shkolle, rreth 1000 fëmijë të Lagjes Kalabria nuk do të humbin kohë në udhëtim në shkolla të lagjeve tjera dhe telashet e prindërve për t'i bartur fëmijet e tyre do të marrin fund. Kjo do të reduktojë dukshëm komunikacionin në Kryeqytet.

Vazhdojmë tutje me shhndërrimin e Kalabrisë në lagje moderne dhe transformimin e Kryeqytetit.

(Kosova Sot Online)