
Nussbaumer: Kosova e Serbia t’i parandalojnë tensionet, Zvicra mbështet dialogun

Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa dhe të parandalojnë tensionet, përcjell “Kosova Sot Online”.
Nussbaumer tha se Zvicra është një mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës.
Tutje, ai tha se Kosova ka Zvicrën një aleate të besueshme për zhvillim dhe integrimin evropian.
Në një konferencë për media së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, Nussbaumer ka thënë se Zvicra mbështet dialogun.
“Ne kemi pasur një takim të frytshëm, diskutimet tona i kanë theksuar marrëdhënie dinamike dhe të fuqishme. Kosova dhe Zvicra kanë bashkëpunuar edhe në fushën e diplomacisë parlamentare. Unë e kam përshëndetur bashkëpunimin e ekspertizave parlamentare. Zvicra është një mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës, Zvicra është krenare me komunitetin e integruar mirë në shoqërinë tonë, të kosovarëve. Zvicra është e shqetësuar për tensionet në rritje në lidhje me pakicat serbe në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa që të parandalojnë tensionet. Zvicra mbështet dialogun, Kosova ka Zvicrën një aleate të besueshme për zhvillim dhe integrimin evropian”, u shpreh ai.
(Kosova Sot Online)