
Gonçarenko: Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

“Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka konfirmuar deputeti ukrainas, Oleksi Gonçarenko, duke shtuar se predhat serbe që po merr vendi i tij në mënyrë të tërthortë, po e shtyjnë këtë vendim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në një intervistë ligjvënësi, një mik i shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti, shpreh shqetësimin se Serbia mund të jetë duke furnizuar oreksin e Rusisë për destabilizim të Ballkanit, pasi ka të njëjtat ambicie si Rusia, për të krijuar perandori.
Këshilla e tij për Prishtinën zyrtare është që të vazhdojë me anëtarësimet ndërkombëtare, veçanërisht ato europiane, pasi janë ombrella mbrojtëse ndaj çdo kërcënimi.
Gocharenko-…jo vetëm në parlamentin ukrainas, por edhe në nivel evropian dhe në Këshillin e Evropës. Para së gjithash, është argumenti emocional, pasi mendoj se ukrainasit po kalojnë tani atë që kaluan kosovarët 25 vjet më parë. Po flas për gjenocid dhe fatkeqësisht kjo është tragjedi për të dy kombet tona. Kjo na bën të kuptojmë njëri-tjetrin më mirë se kushdo tjetër. Së dyti, mendoj se vendet e botës së lirë duhet të bashkohen dhe të mbështesin njëra-tjetrën. Kosova është demokraci, dëshiron të bëhet anëtare e familjes politike evropiane. Kosova meriton të njihet dhe të jetë shtet anëtar. Nga kjo nuk do të përfitonin vetëm qytetarët e vet, por edhe e gjithë Evropa pasi më me shume vende do te bashkoheshin sipas vlerave të njëjta. Prandaj jam dhe do të jem përkrahës i njohjes së Kosovës për ta atë të ecë në këtë rrugë evropiane.
Por përse Ukraina nuk ka marrë ende një vendim lidhur me njohjen e Kosovës, edhe pse ashtu siç pretendoni, dy vendet ndajnë drama të njëjta…?
Gocharenko-Ky është një vendim që sipas Kushtetutës i takon presidentit të Ukrainës. Dhe ai nuk e ka marre ende. Unë mendoj se herët a vonë ky vendim do të merret. Sot ndoshta ka disa pengesa, mbase e keni dëgjuar se Serbia po prodhon predha të cilat më pas i merr Ukraina. Jo drejtpërdrejtë, por përmes vendeve të treta. Ndoshta ka edhe arsye të tjera që unë nuk i di, po ky vendim nuk po merret. Mendoj se herët a vonë do të ketë një lëvizje në këtë drejtim. Unë sponsorizova projektligjin për njohjen e Kosovës në parlament. Nuk mendoj se duhet të luajmë lojëra me Serbinë apo ndonjë shtet tjetër. Mendoj se duhet të kemi një qëndrim tonin, i cili është i qartë; Kosova duhet të njihet”, ka thënë ai.
(Kosova Sot Online)