Tomas Szunyog përfundon mandatin si shef i zyrës së BE-së për Kosovën

  • A.P /
  • 09 July 2024 - 23:00
Tomas Szunyog përfundon mandatin si shef i zyrës së BE-së për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen lamtumirëse të organizuar mbrëmjen e sotme nga Zyra e BE-së në Kosovë, me rastin e përfundimit të mandatit të ambasadorit Tomáš Szunyog, si shef i zyrës së BE-së, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në fjalën e tij, ai tha se Bashkimi Evropian përfaqëson të ardhmen për Kosovën – një familje kombesh në të cilën vendi ynë aspiron t’i bashkohet dhe të kontribuojë, me të cilën ndajmë vlera të përbashkëta dhe kemi synime të njëjta për të ardhmen. “Jo rastësisht Kosova aktualisht është vendi më pro BE-së, me nëntëdhjetë e pesë përqind të qytetarëve që mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri.

Më tej, ai foli mbi arritjet e vendit tonë gjatë këtyre tri viteve të fundit, në kohën kur dhe ambasadori Szunyog shërbeu në krye të zyrës së BE-së në Kosovë: “Gjatë mandatit tuaj, Kosova shënoi arritje të rëndësishme në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ato më historiket ishin aplikimi ynë për anëtarësim në BE në fundin e vitit 2022 si dhe liberalizimi i vizave i cili filloi nga ky vit”, u shpreh kryeministri.

Ai veçoi dhe një moment tjetër kyç: Raportin për Vendin të vitit 2022. Ky raport është konsideruar si një nga më të mirët ndonjëherë për Kosovën dhe ndër më të mirat në Ballkanin Perëndimor, e ku u evidentua realizimi i një sërë reformash të vonuara prej kohësh. Disa prej tyre janë miratimi i ligjit për zgjedhjet dhe ligjit për financimin e partive politike, krijimi i terminaleve doganore në pronësi publike, rritja e pagës minimale, fillimi i arsimit dual, si dhe arritjet në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në përfundim, kryeministri shprehu vlerësimin për kontributin e ambasadorit Szunyog si dhe i uroi suksese të mëtejme në detyrën e tij të radhës.

(Kosova Sot Online)