Albin Kurti e Hekuran Murati fajësojnë Haradinajn për humbjen e 21 milionëve

  • A.P /
  • 10 July 2024 - 16:15
Albin Kurti e Hekuran Murati fajësojnë Haradinajn për humbjen e 21 milionëve

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për ndarjen e mbi 21 milionë eurove për kompaninë “ContourGlobal”, pas humbjes së rastit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Për këtë humbje milionëshe, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë fajësuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Kurti fajësoi pak edhe Qeverinë Hoti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Republika e Kosovës do t’i paguajë mbi 21 milionë euro kompanisë “ContourGlobal”, me të cilën kishte lidhur marrëveshje për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Pavarësisht dëmeve, Kryeministri Albin Kurti tha se është më mirë që ky projekt nuk është realizuar.

“Siç kemi thënë vite më parë, ashtu edhe rezultoi, Ky projekt as s’ka qenë i ideuar të realizohet e as s’ka qenë përmbajtje, e i dobishëm për vendin tonë. Për fat të keq, ndërprerja e Qeverisjes tonë në pranverën e vitit 2020, dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëtirë për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar që Kosova të mos kishte pasoja të tilla. Kështu siç kanë shkuar ngjarjet, krijohet bindja se asnjëherë ky projekt nuk e ka pasur në plan ta gjejë financimin e duhur por është mjaftuar me idenë e një Arbitrazhi të mundshëm që t’ia merr paratë Kosovës. Megjithë pasojat, është shumë më mirë që i njëjti nuk është realizuar sepse një mbrapështi e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, deklaroi Kurti.

Shuma e saktë e mjeteve që u ndanë është 21 milionë e 70 mijë e 583 euro e 27 centë.

Ministri Hekuran Murati tha se një nënshkrim “i papërgjegjshëm” i ish-kryeministrit Haradinaj, tani po i kushton vendit mbi 21 milionë. Ai tha se vendime të tilla po vazhdojnë t’i ndjekin edhe pas shtatë viteve.

“Një nënshkrim i tillë i papërgjegjshëm, tani i kushton Republikës së Kosovës mbi 21 milionë euro dhe edhe shtatë vite pas po vazhdojnë të na ndjekin vendime të tilla të papërgjegjshme dhe nënshkrime që I sjellin dëm buxhetit të Kosovës”, deklaroi Murati.

Sipas Muratit, me klauzolë parashihej që në rast Arbitrazhi, në rast se dëmi do të duhej t’i paguhej Kosovës vlera kufizohej në 8 milionë euro, e në rast se kompanisë mbi 19 milionë. 

“Nuk është se të gjitha mund të fitohen, aq më pak në raste të tilla kur një marrëveshje e cila ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2017, përmbante vetë nënshkrimin e kryeministrit. Dmth Qeveria Haradinaj, kryeministri Haradinaj kishte nënshkruar marrëveshje përkundër të të gjithë paralajmërimeve nga opozita, nga shoqëria civile, nga ekspertët e fushës, që një kontratë e tillë nuk duhej të nënshkruhej sepse që në fillim edhe nëse shohim klauzolën që në rast të Arbitrazhit dhe në rast të procesi gjyqësor, sa shpërblehet njëra palë e sa tjetra, aty mund ta shohim pabarëzinë dhe asimetërinë e asaj kontrate. Në rast se dëmi duhej t’i paguhej Republikës së Kosovës, kostoja kufizohej në tetë milionë euro, kurse në rast së dëmi do të duhej t’i paguhej Contour Global, kostoja ishte 19.7 milionë. Dyfish e gjysmë më shumë për kompaninë sesa për shtetin”, deklaroi Murati.

Kurti më pas e quajti këtë kontratë si “kapitulluese”, duke thënë se me rastet tjera që i ka fituar Avokatura Shtetërore, shuma është përafërsisht shtatëfishi i shumës që duhet t’i paguajnë kësaj kompanie.

“Gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë, Avokatura jonë Shtetërore ka qenë shumë e suksesshme. Ajo cfarë kemi fituar është përafërsisht shtatëfishi i kësaj shumës që duhet të paguhet për shkak të humbjes në Tribunal për shkak të një kontrate kapitulluese e një qeverie të mëhershme me Contour Global. Çfarë të bëjmë, jemi ndodhur në një kësi situate ku duke pas parasysh atë kontratë, megjithatë kjo është e keqja më e vogël”, tha Kurti.


(Kosova Sot Online)