Haradinaj: Albin Kurti është edhe i 'dobët' si kryeministër edhe i 'poshtër' si njeri
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri i Kosovë Albin Kurti është edhe i “dobët” si kryeministër edhe i “poshtër” si njeri, sipas tij, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Haradinaj ka thënë se Kurti “përgjegjësinë për dëmshpërblim për kontratën me Contour Global po e heqë nga vetja me faqe të zezë”.
“Albini çdo ditë po dëshmon se është edhe Kryeministër i dobët edhe njeri i poshtër. Me krenari dhe me lëvdata e ka pas shkelë kontratën me Contour Global (Ministrja e tij i ka dërgu letër dhe ia ka ndërprerë përkrahjen) e me faqe të zezë përgjegjësinë për dëmshpërblim po e heqë prej vetes. E pabesueshme ku ka mbërri logjika e politikës trushpërlarëse e Kurtit”, ka thënë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
Haradinaj ka shtuar se “Kurti e gjuan gurin, e vjedh popullin dhe në mënyrën më të poshtër e fsheh dorën”.
“Kurti e la Kosovën edhe pa 500 MW energji, ku që nga viti 2023 do t’i përfitonte Kosova me çmim prej 83€ e në ndërkohë ka blerë energji deri në 600€ e qytetarit të shkretë jo një por dy herë ia ka rritë çmimin e energjisë. Kjo është politika e mashtruesit Albin Kurti. E gjuan gurin, e vjedh popullin dhe në mënyrën më të poshtër e fsheh dorën”, është shprehur Haradinaj.
(Kosova Sot Online)