Publikohen vendimet e Qeverisë Kurti

  • A.P /
  • 10 July 2024 - 20:02
Publikohen vendimet e Qeverisë Kurti

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka marrë 19 vendime, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Zyra e kryeministrit përmes një komunikate i ka treguar ato.

E një nga këto vendime është edhe shpallja e 11 korrikut ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës.

Më poshtë janë të gjitha vendimet që i ka marrë Qeveria:

1.     Shpallur 11 korrikun ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës. 

2.     Plotësuar dhe ndryshuar Programin Legjislativ të Qeverisë për vitin 2024. Ajo që vlen të theksohet është që, po fillojmë hartimin e projektligjit për Agjencinë për Integrim Evropian, e cila do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe që do të zbatojë politikat qeveritare në kuadër të proceseve integruese.

3.     Aprovuar Rregulloren e Procedurave të Përzgjedhjes dhe Emërimit të Drejtorëve dhe Zëvendësdrejtoreve, Mësimdhënësve, Bashkëpunëtorëve Profesional, Asistentëve, Instruktorëve dhe Sekretarëve në Institucionet Publike Edukativo-Arsimore dhe Aftësues të Arsimit Parauniversitar. Me miratimin e kësaj Rregullore zbatohet Ligji për Zyrtarët Publik në fushën e arsimit, dhe krijohet një sistem i mirëfilltë dhe efikas në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

4.     Miratuar Programin e Statistikave Zyrtare për vitin 2024-2028.  Ky program bazohet në Ligjin për Statistikat Zyrtare dhe nevojën për avancimin e Sistemit Statistikor të Kosovës (SSK) gjatë pesë viteve të ardhshme. Ai synon zgjerimin dhe përmirësimin e statistikave për të mbështetur politikëbërjen dhe zhvillimin e vendit.

5.     Emëruar Bordin Mbikëqyrës së Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça” Sh.A, me këtë përbërje:

·       Mentor Berisha, Kryesues

·       Fadil Bejta, anëtar;

·       Alban Krasniqi, anëtar;

·       Merita Gashi, anëtare;

·       Sadije Gashi, anëtare.

6.     Emëruar Komisionin ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese të Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, me këtë përbërje:

·       Naim Gashi, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Kryesues;

·       Ilir Muçaj, Sekretar i Përgjithshëm i MPJD, anëtar;

·       Venera Çerkini, Sekretare e Përgjithshme e MBPZhR, anëtare;

·       Vehbi Ramaj, Ekspert i jashtëm, anëtar;

·       Jehona Murati-Dugolli, Udhëheqës i NjMBNj të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë, anëtar.

7.     Aprovuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit për konservimin, restaurimin dhe ndërtimin e Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.        

8.     Aprovuar vendimin preliminar për shpronësim për interes të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, segmenti Dollc-Ramun.  Javën e kaluar janë hapur procedurat për dorëzimin e ofertës për ndërtimin e Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, përkatësisht segmenti Dollc-Zahaq, me gjatësi 16.27 kilometra dhe me buxhet të planifikuar të projektit prej rreth 46 milionë euro.

9.     Aprovuar vendimin preliminar për shpronësim për interes të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit të ndërtimit të Rrugës Rajonale R221 Cerkolez-Rakosh.

10.  Ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr. 09/121, të datës 25 janar 2023 për emërimin e Kryetarit të Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Sipas këtij plotësim-ndryshimi, Kryetari i Komisionit bëhet Rrustem Thaqi.

11.  Ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr. 06/106 të datës 9 nëntor 2022, për formimin e Grupit Punues Ndërministror për koordinimin e punës së të gjithë ministrive kompetente në lidhje me legjislacionin teknik, i cili është përgjegjës për zbatimin e detyrave që dalin nga lëvizja e lirë e mallrave në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Kosovës. Sipas këtij plotësim-ndryshimi Liridona Hoti, Destan Mustafa dhe Florije Tahiri zëvendësojnë anëtarët Albana Krasniqin, Driton Ademin dhe Lendita Sopen, pasi që këta të fundit nuk vazhdojnë të jenë pjesë e institucioneve të cilat i kanë përfaqësuar deri më tani.

12.  Themeluar Trupin Punues Qeveritar për Zhvillimin e Kornizës Juridiko-institucionale për Integrimin e Komunitete joshumicë në Administratën Publike të Republikës së Kosovës. Ky komision ndërministror do të jetë përgjegjës për t’i propozuar Qeverisë rekomandime për zbatimin e plotë të legjislacionit apo hartimit të politikave mbi punësimin e komuniteteve jo shumicë në institucionet publike.

13.  Dhënë autorizimin e fillimit të procedurave të tenderimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga era dhe dhënien e mbështetjes për këto kapacitete deri në 150 MË. Ky projekt është në funksion të realizimit të vizionit të Qeverisë, të përcaktuar edhe në Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2022-2031, e që është krijimi i një sektori të energjisë, të sigurt, të pastër e të qëndrueshëm.

14.  Ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr. 06/121 të datës 25 janar 2023 për zgjatjen e afatit për një periudhë shtesë prej katër vjetëve të së drejtës së shfrytëzimit të pronave për ndërtimin e parkut solar 100 MË. Periudha shtesë prej katër (4) viteve jepet me qëllim për të mbuluar kohën e shpenzuar gjatë procesit të ofertimit konkurrues deri në përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm, duke përfshirë edhe periudhën e nevojshme për ndërtim të parkut solar 100 MË, pas përzgjedhjes së ofertuesit më të përshtatshëm. Kjo do të thotë se investitori do ta ketë në shfrytëzim efektiv pronën që i është dhënë, ashtu siç është paraparë me marrëveshje.

15.  Miratuar Strategjinë e Turizmit të Republikës së Kosovës 2024-2030 dhe Planin e Veprimit 2024-2026. Vendi ynë është atraktiv për vizitorët ndërkombëtarë, e përmes turizmit rritet zhvillimi ekonomik, punësimi dhe përmirësohet mirëqenia socio-ekonomike e qytetarëve të vendit tonë.

16.  Ndarë 30,000.00 euro subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për komunitetet joshumicë.

17.  Ndarë 21,070,583.27 milionë euro për pagesë sipas vendimit të tribunalit të arbitrazhit për rastin ICC me Nr. 26388/HBH Countour Globlar, LCC vs Republika e Kosovës. Siç kemi thënë vite më parë, ashtu dhe rezultoi. Ky projekt as ka qenë i ideuar të realizohet e as ka qenë në përmbajtje i dobishëm për vendin. Ndërprerja e qeverisjes sonë në pranverën e vitit 2020 dhe ardhja e një qeverie tjetër, la zbrazëti për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar që Kosova mos të kishte pasoja të tilla. Megjithatë, me gjithë pasojat është më mirë që i njëjti nuk është realizuar.

18.  Miratuar raportin e konsoliduar vjetor për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm  të financave publike në subjektet e sektorit publik për vitin 2023.

19.  Ndarë 731,916.00  euro për Këshillin e Kombëtar Shqiptar, për gjithsej 1234 bursa për nxënësit dhe studentët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ndarja bëhet në pajtim me Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024 dhe Memorandumin ndërmjet Qeverisë tonë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar.


(Kosova Sot Online)