Trump do të takohet me Orbanin
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të takohet këtë të enjte me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në shtëpinë e vet në Florida, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Agjenda e plotë e takimit të tyre nuk dihet, por sipas njërit prej burimeve të Reuters, lufta në Ukrainë do të jetë ndër temat e bisedës mes tyre.
Orbani, mbështetës i kamotshëm i Trumpit, i vizitoi befas javën e fundit Kievin, Moskën dhe Pekinin, për bisedime të cilat ai i ka paraqitur si “mision i paqes”.
Takimi i tij në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i ka zemëruar në veçanti disa prej vendeve aleate të NATO-s, të cilat thanë se vizita e tij u dha ligjshmëri pretendimeve të Putinit për territorin e uzurpuar ukrainas prej se Rusia e nisi pushtimin më 2022.
Orbani ndodhet në Uashington, ku mori pjesë në samitin e NATO-s këtë javë.
Lajmi për takimin mes Orbanit dhe Trumpit u raportua për herë të parë nga Bloomberg.
Në muajt e fundit, zyrtarët e jashtëm kanë kërkuar vazhdimisht takime me Trumpin dhe këshilltarët e tij kryesorë, në përpjekje për të diskutuar për politikën e tij të jashtme, nëse ai e mposht presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Sondazhet tregojnë se Trumpi ka një epërsi të gjerë kundër Bidenit.
Një këshilltar i tij, Keith Kellogg, u takua me disa zyrtarë të jashtëm të nivelit të lartë në margjinat e samitit të NATO-s, Reuters raportoi këtë javë.
Orbani u takua me Trumpin për herë të fundit në fillim të marsit. Pas atij takimi, kryeministri nacionalist i ofroi mbështetje Trumpit në garën për president.
(Kosova Sot Online)