Mali i Zi, ndalohet transmetimi i emisioneve të 20 mediave ruse

  • A.P /
  • 11 July 2024 - 20:37
Mali i Zi, ndalohet transmetimi i emisioneve të 20 mediave ruse

Autoritetet malazeze ndaluan të enjten transmetimin e programeve të 20 mediave ruse, përfshirë shërbimin ballkanik RT (ish Russia Today ) dhe Sputnik. Me këtë vendim, Podgorica zyrtare vazhdon të veprojë në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian në masat monitoruese ndaj Rusisë, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Të gjithë transmetuesit u urdhëruan të ndërpresin programet e mediave ruse dhe të pezullojnë çdo marrëveshje për transmetimin ose shpërndarjen e përmbajtjes së tyre.

Shkelja e këtyre detyrimeve dënohet me gjobë deri në 40 mijë euro, sipas informacioneve të Agjencisë për Media Elektronike të Malit të Zi.

Ndërsa delegacioni i BE-së e përshëndeti përafrimin me politikën e tyre të jashtme, zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova e cilësoi veprimin e Podgoricës zyrtare si armiqësore.

“Vendimi i qeverisë malazeze është akt armiqësor i censurës së pa maskuar dhe këto veprime armiqësore nuk do të kalojnë pa një përgjigje të duhur”, tha zëdhënësja Zakharova.

(Kosova Sot Online)