Vala thotë se tani kanë internet të shpejtë 4G+ dhe 5G por qytetarët ankohen se as 0.5G nuk është po leni rrenat!

  • A.P /
  • 15 July 2024 - 20:00
Vala thotë se tani kanë internet të shpejtë 4G+ dhe 5G por qytetarët ankohen se as 0.5G nuk është po leni rrenat!

Pas dy muajve që qytetarët respektivisht klientët e Valës janë përballur me terr elektronik, Vala ka dalur me njoftim se tani i ka tejkaluar problemet teknike me thirrjet dhe sjell internet të shpejtë 4G+ dhe 5G, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Megjithatë qytetarët po ankohen se asgjë nuk po funksionon.

"Po e keni knaq qe sa kohe nuk kemi rrjet jo po bajm antenat jo hajdi ndrroni kartelat pasi nuk.ka kush me shpall tender e me marr naj vodafone apo dike tjeter luni me ne....8 euro.e kam paguar per nji muj veq qet nji e me dy shigjeta dhe ne dardani ske val", ka theksuar Sh.Maliqi.

Derisa qytetari tjetër Xh. Avdyli thotë "Valla as 4g as 2g sa ka ban hiq kurgja".


"Valla kerkah sjeni po nejse. Vendet rurale skan kurrefare mbelueshmerie me rrjet, as 2G as 3G e leje 4G/5G. 90% te kohes nuk muj as thirrje me bo", thotë P. Shala.


Derisa B. Neziraj ankohet se "Edhe per keto 2 vjet asnjehere nuk ju ka shku ndermend me kerku falje publikisht per telashet qe ja keni shkaktuar qytetareve, more horra. E per sa i perket premtimit se nuk do te kete me telashe, kjo eshte rrene e kulluar se perseri ka plot vende ku humbin valet neper Prishtine, e lere me neper qytete te vogla per te cilat lodheni edhe me pak se per Prishtine".

"Qfar 4G e 5G e keni fjalen more? Kjo as 0.5G sosht po leni rrenat. 20her duhet me provu numrin deri sa hin ne lidhje ju thoni 5G| ankohet E.Qorri.

Ky është postimi i plotë i Valës.

Vala modernizon rrjetin, tejkalon problemet teknike me thirrjet dhe sjell internet të shpejtë 4G+ dhe 5G

Më 5 korrik, kanë përfunduar problemet teknike të shfaqura gjatë dhe si pasojë e projektit të modernizimit të rrjetit mobil VALA. Me ndërrimin e teknologjisë së vjetër, të nisur para dy vitesh, tashmë kemi një rrjet Qendror krejtësisht të ri, nga i cili, përveç funksioneve tjera, kontrollohen edhe të gjitha Stacionet Bazë (antenat) në terren. Prandaj, nuk ka më thirrje të humbura, ndërkohë që interneti është cilësor dhe shumë i shpejtë. Gjysma e Stacioneve Bazë tashmë janë ndërruar me të reja, dhe gjysma tjetër pritet të përfundojë deri në fund të vitit, njofton Drejtori Teknik i Telekomit të Kosovës, Halil Krasniqi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Përveç kësaj, është instaluar teknologjia 5G, e cila aktualisht është në dispozicion të qytetarëve në Prishtinë, Lipjan dhe Fushë Kosovë, dhe do të vazhdojë në të gjitha regjionet tjera. Teknologjia 5G tashmë mbulon rreth 80% të kryeqytetit, ndërsa Vala ka aktivizuar 5G për rreth 7000 konsumatorë postpaid, telefonat e të cilëve e kanë mundësinë e përkrahjes së 5G-së.

Për më tepër, teksa foli për përparësitë që sjell teknologjia 5G, si në zhvillimin ekonomik dhe shumë aspekte tjera të jetës së përditshme, drejtori Teknik ftoi të gjithë konsumatorët që mund të kenë probleme teknike me telefonat e tyre, të kontaktojnë Telekomin e Kosovës në Qendrën e Thirrjeve (0800 10000) si dhe në mediat sociale të Telekomit të Kosovës, ku do të marrin ndihmën e nevojshme rreth konfigurimit të tyre, në mënyrë që ta shijojnë shërbimin cilësor dhe internetin super të shpejtë.

Z. Krasniqi u shpreh edhe sa i përket funksionimit të rrjetit në veri të vendit, duke thënë se Vala funksionon edhe në veri, ku çdo rrugë e rrugicë është e mbuluar me rrjet. Së shpejti, atje do të instalohen edhe disa Stacione Bazë të reja, ndërsa me përfundimin e projektit në dhjetor të këtij viti, edhe veriu do të ketë mbulim të plotë me 4G+-5G, sikurse pjesët tjera të vendit tonë.

(Kosova Sot Online)