Ministria e Drejtësisë njofton për emërimin e 100 noterëve të rinj

  • A.P /
  • 15 July 2024 - 19:35
Ministria e Drejtësisë njofton për emërimin e 100 noterëve të rinj

Ministria e Drejtësisë i ka publikuar vendimet për emërimin e 100 noterëve të rinj të cilët janë përzgjedhur përmes dy proceseve, atij të vitit 2019 dhe të fundit të vitit 2023, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga ministrja Albulena Haxhiu, vendimet e nënshkruara nga ajo javën e kaluar, kanë nisur të publikohen sot.

Në uebsajtin e Ministrisë së Drejtësisë, deri tani janë publikuar vendimet për emërimin e mbi 40 noterëve.

Nga 100 noterë, 40 prej tyre janë të përzgjedhur nga procesi i emërimit të noterëve të zhvilluar në vitin 2019 nga Qeveria Haradinaj, ndërsa 60 të tjerë nga konkursi i fundit i vitit 2023 të cilët janë përzgjedhur nga pushteti aktual

Në mesin e të emëruarve janë edhe Shemsie Lladrovci, bashkëshortja e Ramiz Lladrovcit, Fatmire Jerliu-Kuçi dhe bashkëshortja e ish-ministrit Hajredin Kuçi. Të dyja të përzgjedhura në procesin e parë të përzgjedhjes së noterëve në kohën e Abelard Tahirit.

Ky proces ishte anuluar nga ministrja Albulena Haxhiu në vitin 2020, por vendimi i saj ishte rrëzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjatë orëve të ardhshme pritet të publikohen edhe vendimet për emrat e rreth 60 noterëve të tjerë të rinj.

(Kosova Sot Online)