Stano flet lidhur me diskutimet për heqjen apo jo të masave ndaj Kosovës
Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian prej verës së vitit 2023, të cilat blloku i vendosi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të këtyre masave, siç edhe ka rekomanduar Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor.
E tashmë kur janë bërë pothuajse një muaj nga dorëzimi i këtij raporti, ende nuk ka ndonjë vendim nga blloku evropian për masat ndaj Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të këtyre masave.
“Raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së, i shprehur në Deklaratën e 3 Qershorit 2023 (Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së) iu dërgua shteteve anëtare dhe diskutimi i parë u zhvillua në qershor.
Këshilli e kishte ftuar Përfaqësuesin e Lartë që të përgatiste një raport të tillë në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023. Raporti është një dokument konfidencial dhe nuk do të bëhet publik.
Përfaqësuesi i Lartë rekomandon heqjen e masave për Kosovën, siç theksoi ai në konferencën për shtyp më 24 qershor 2024. Diskutimet në Këshill vazhdojnë”, ka deklaruar Stano.
(Kosova Sot Online)